Në buxhetin e shtetit për shkak të evazionit fiskal shkojnë 40% të ardhura më pak sesa totali që mund të arrihet. Eksperti kontabël Agim Binaj shpjegon se projektligji i ri i “Fiskalizimit” nuk do të ofrojë zgjidhjen e duhur, pasi po i besohet përsëri vetëdeklarimit. Binaj është pro vendosjes së një sistemi të ri faturimi, por thekson se vetëm nga ndryshimet e vazhdueshme në legjisacion janë shkaktuar një dëm prej 60 milionë euro në buxhetin e shtetit.
Agim Binaj: Këtu nuk ka zgjidhje ideale. Një sistem, një soft që futet, nuk është gjë tjetër veçse është një vegël pune që përmirëson sistemin e raportimit ose të vetëdeklarimit. Edhe fatura elektronike që do të futet këtë gjë ka. Kasa do të ndërrohen. Pse? Se do të marrin një me memorie të re.
Nuk do të ketë reformë të sukseshme, nëse nuk kemi sisteme të integruara teknologjike, kështu shprehet Binaj, teksa komenton aksionin antiinformalitet që ka marrë më shumë vëmendje në muajt e nxehtë të verës.
Agim Binaj: Nuk mund të ketë reformë ose luftë të suksesshme kundër informalitetit në qoftë se nuk kemi sisteme të integruara. Dhe jo siç ndodhi tashti me e-albania, nëpërmjet AKSH-it që ka bërë kontratën, që një bilanc të duheshin tre ditë për ta futur në sistem. Nuk funksionon si duhet serveri. Lufta kundër evazionit fiskal nuk bëhet me raprezalje.
Gjatë intervistës eksperti thotë se zgjidhja duhet të kërkohet më thellë në problemet e taksimit që ka Shqipëria. Ai propozon taksim 5% për të gjithë bizneset si dhe heqje të TVSH-së në dogana.
Agim Binaj: Nuk mund të shkojmë në një reformë ose në një luftë kundër informalitetit në qoftë se nuk bëjmë diferencimin e TVSH-së, në qoftë se nuk heqim pragun dy milionë.Ne duhet të heqim urgjent TVSH-në nga dogana. TVSH-ja nuk është taksë doganore si të gjithë taksat e tjera. Nuk është akcizë. Të gjitha subjektet duhet të jenë subjekte të TVSH-së, domethënë ata duhet të paguajnë TVSH. Po jo njëzet për qind, por për artikujt e nevojës së parë. Edhe shërbimet, restorantet, kafenetëetj. Të kenë një TVSH pesë për qind, siç e kanë gjithë vendet e tjera. Pra do të futen në skema, edhe gjashtëdhjetë mijë biznese që do të krijojnë një volum të caktuar. E di sa është volumi i të ardhurave, në qoftë se i marrim me një llogari të përafërt? Rreth 500 milionë euro
Eksperti në fjalë ka dalë në kritika për sistemin e ri të faturimit që një vit më parë teksa shtonte se nuk duhet të nxirren nga përdorimi kasat fiskale, por të modernizohen. Përsëri ai paralajmëron efekt negativ si në kosto ashtu edhe në zhvillim të ecurisë së biznesit pasi ndryshimet e vazhdueshme, nuk e ndihomjnë në rritjen e klimës së biznesit, por e komplikojnë atë.



