Liderja e ekstremit të djathtë në Francë ka sërish ambicie presidenciale. Marine Le Pen njoftoi të enjten se ka ndërmend të hyjë në garën për president të Francës në vitin 2022.
“Një alternativë e madhe për ta ngritur vendin sërish në këmbë” dhe për të “krijuar unitet” e quajti ajo programin me të cilin do të paraqitet në garën e radhës.
Le Pen ka kandiduar në një garë të tillë në zgjedhjet e vitit 2017, por humbi thellë përballë Emanuel Macron, i cili aktualisht ndodhet në një nga momentet më të vështira të presidencës së tij. Pas protestave të “jelekëve të verdhë”, ai po përballet me greva që kundërshtojnë reformat në sistemin e pensioneve.
Le Pen tha se kandidatura e saj duhet të marrë miratimin e partisë në Kongresin e vitit 2021.
Bërja publike e planeve presidenciale nuk është aq e rastit saç mund të duket.
Në mars, në Francë mbahet zgjedhjet vendore dhe Le Pen në këtë mënyrë po përpiqet të fitojë në një farë mënyre votuesit e lëkundur të së djathtës së qendrës, por edhe të ekstremit të majtë.



