Kryetari i shoqatës së emigrantëve shqiptarë në Greqi Arben Cani në një lidhje me skype për edicionin e lajmeve në MCN TV e konsideroi një vendim të gabuar dhe të qëllimshëm anulimin e takimit të Edi Ramës me emigrantët në stadiumin Galatsi, por ai theksoi se ky takim do të zhvillohet diku tjetër. Cani tha që shqiptarët në Greqi përballen me racizëm institucional, por ai preferoi të mos bënte publike kërkesat që diaspora do t’i bëjë Ramës. Cani vuri po ashtu në dukje se organizimi i Ramës nuk është politik, por patriotik.
"Jemi informuar plotësisht për ardhjen e z.Rama në takim me diasporën dhe komunitetin shqiptar në Greqi. Ka ardhur i autorizuari i z.Rama nga Vlora, Vangjel Tavo, që ka bërë një takim të posaçëm me përfaqësues të komunitetit shqiptar, duke mos pasur asnjë përfshirje politike, por thjesht patriotike. Ky ishte një organizim dhe një iniciativë patriotike, që çdo kryeministri të një shteti i takon ta bëjë. Ne nuk shikojmë anën politike dhe s’na intereson ne si emigrantë, që t’i politizojmë gjërat patriotike. Organizatat nacionaliste greke, anti-shqiptare, mundohen t’i politizojnë gjërat. I kanë bërë një politikë shumë të ashpër, shumë nacionaliste z.Rama. Është një gjest shumë i gabuar nga politika greke anulimi i takimit të z.Rama në stadiumin e Galatsi-t. Ishte anti-kushtetues, sepse s’kishte asnjë arsye për të prishur dy marrëdhënie politikash, apo komunitetesh të bashkuara ngushtë me njëri-tjetrin. Ne vërtet jemi prej 30 vitesh në Greqi, mirëpo kemi të bëjmë me një racizëm institucional, që po përkeqësohet, po bëhet më i ashpër. Zhvendosja e takimit të Ramës është i qëllimshëm, patjetër. Disa media e keqpërdorin ardhjen kryeministrit, akoma pa ardhur. Organizimi i Ramës nuk është nacionalist, apo anti-grek, është patriotik. Hera e parë që e mbështesim një kryeministër, pa arsye politike, kaq fuqishëm. Të bëjmë një peticion të fuqishëm për këto gjeste anti-shqiptare që na bëhen. Nuk do doja t’i bëja publike kërkesat që do t’i bëjmë z.Rama. Janë disa gjëra që duhet t’i dijë vetëm kryeministri. Nuk jemi realisht shtetas europian, dhe nuk e bëjmë jetën e një shtetasi europian. Nuk ka vlerë që kërkesat tona t’i bëjmë publike. Janë me qindra padrejtësi që u bëhen shqiptarëve në burgjet e Greqisë. Na ka shumë borxh shteti grek ne dhe nuk lahen borxhet. Kemi bërë një peticion, do lobojmë mbarë mërgata, vota e emigrantëve është e detyrueshme, që në zgjedhjet e ardhshme të votojmë doemos”.



