Kryeministri shqiptar Edi Rama tha në Mynih, se qeveria amerikane nuk i ka parashtruar ende ndonjë kërkesë për strehim refugjatësh palestinezë në Shqipëri, por përgjigjia do të jetë gjithsesi “Jo!”
Presidenti amerikan Donald Trump, tha pak ditë më parë gjatë një konference për shtyp se Shqipëria është në listën e vendeve që ai po merr në konsideratë për dërgimin e refugjatëve palestinezë.
"Asnjë nuk na ka pyetur nga administrata Trump por dhe nëse do të na pyesin – çka nuk është e logjikshme, sepse ne jemi në mes të Europës dhe si mund të vijnë tek ne qindra-mijëra vetë… - gjithsesi kjo është pjesë logjistike dhe ne jemi një vend i vogël. Por kjo nuk ka për të ndodhur, të paktën jo gjatë qeverisjes sime”, u shpreh Rama raporton “DW”.
"Ne na vjen shumë keq për këta njerëz të cilët janë viktima të një prej diktaturave më të egra që ka ekzistuar ndonjëherë, që është Hamasi, por ne nuk jemi pjesë e kësaj historie dhe nuk do të jemi kurrë”, shtoi ai.



