
“Është kthyer në problematike edhe fakti që në Emiratet e Bashkuara Arabe, përkatësisht në qytetin e Dubait, qëndrojnë një numër i lartë të kërkuarish me masa sigurimi “arrest në burg” për vepra penale në kuadër të krimit të organizuar, për të cilët nuk po jepet ekstradimi nga autoritetet e drejtësisë së Emirateve të Bashkuara Arabe. Vazhdon dhe mbetet problematike çështja e mosekstradimit të shtetasve shqiptare të lokalizuar apo arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.”- Raportet e SPAK
Ky është një problem i cituar në çdo raport të përvitshëm të Prokurorisë së Posaçme dhe në po aq vite nuk është mundur të gjendet një zgjidhje ligjore për të sjellë drejt Shqipërisë dhjetëra personazhe të botës së krimit të organizuar shqiptarë që kanë gjetur strehë në Dubai.
Një parajsë penale dhe fiskale ku persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare jetojnë të lirë atje dhe për me tepër investojnë paratë që vijnë nga aktiviteti kriminal në këtë vend.
Nga mënyra se si është bërë vendosja e këtyre personave në Dubai duket se ka qenë një plan i menduar disa vite para, duke treguar dhe njëherë që ata janë një hap përpara agjencive ligjzbatuese. Ata e kishin informacionit se drejtësia do ta kishte të pamundur ti sillte drejt Shqipërisë dhe për më tepër nga atje ata nuk do shqetësoheshin për drejtimin e trafikut te kokainës drejt Europës. Ndërsa infrastrukturën kriminale që kishin ngritur në Shqipëri prej 20 vitesh pastronte një pjesë të parave që vijnë nga trafiku i drogës, për të mbajtur në këmbe edhe strukturat kriminale që kanë në vendin tonë.
Për disa vite dhjetëra persona të cilët kishin probleme me ligjin në Shqipëri apo europë u vendosën në këtë emirat të vogël arab, por me mundësi të mëdha për aktivitetin e tyre kriminal. Përveç qëndrimit pa probleme atje dhe pa rrezik ekstradimi, ata filluan të investonin në pasuri të patundshme.
Nga Dubai këto personazhe për të cilët prokuroria e posaçme kishte lëshuar urdhër-arreste bënin karshillik, duke shijuar frutet e punës së tyre, e cila për një dekadë njohur vetëm rritje.
Disa tentativa bënë institucionet shqiptare vitet e fundit për të bërë të mundur ekstradimin e tyre drejt vendit tonë dhe në po aq herë dështuan. Ata arrestoheshin nga policia e Dubait dhe pas qëndrimit 45 ditë në qeli ata liheshin të lirë me kusht, duke arritur në këtë mënyrë qëllimin e tyre për të qëndruar të lirë aty dhe larguar rrezikun e një ekstradimin të mundshëm.
Shumë aktiv në raport me atë që po ndodhte me Dubain ishte ish ministri i brendshëm Taulant Balla, i cili nuk nguronte të fliste për këtë çështje sa herë që i jepej mundësia.
Madje deportimin me dëshirën e tij nga Dubai, të një personi u pa si fundit i epokës se shpëtimit të personave të kërkuar që qëndrojnë në Dubai. Bruno Çobo një i ri nga Lezha i kërkuar nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që mashtronte qytetarë të Bashkimit Europian pas refuzimit të azilit atje preferoi të kthehej të përballej me drejtësinë. Kjo mënyrë u quajt ekstradim i thjeshtuar edhe pse personi i kërkuar zgjedh vetë të kthehet.
Ky rast u pa nga ish ministri si fundi idesë se Dubai është një vend ku të kërkuarit nga drejtësia ata janë imun ndaj veprave penale që kanë kryer Shqipëri.
Taulant Balla duke patur parasysh edhe rëndësinë që kjo çështje ka në debatin publik zhvilloi një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në fokus të vizitës së tij ishte edhe ekstradimi i disa prej personave më të rrezikshëm që kërkohen nga Shqipëria.
Sjellja e tyre përpara drejtësisë duke i ekstraduar në mënyrën klasike dukej që ishte e vështirë për një vend të vogël si i joni, pasi me Emiratet Arabe vështirësi kanë edhe vende shumë më të fuqishme. Autoritet tona të paktën sipas një deklarate të ish ministrit Balla në muajin maj të këtij vitit në Dubai ishin identifikuar 20 persona të cilët kanë probleme me drejtësinë shqiptare.
Në gjithë këto diskutimet dhe dijeninë se cilët ishin personat e kërkuar nga drejtësia shqiptare në Dubai vjen një lajm shumë i rëndësishëm nga ky vend. Njoftohet se Palurent Dervishaj dhe miku i tij Julian Meçe ishin ndaluar atje në mesin e muajit korrik dhe po mbaheshin në kamp.
Të dy personat ishin konfliktuar me të tjerë shqiptarë gjatë një ndeshjeje boksi të organizuar në Dubai. Policia vendase kishte njoftuar të dy të ndaluarit se kishin thyer rregullat aty dhe për shkak të këtij konflikti ata nuk mund ti jepnin siguri për jetën e tyre.
Në kushte të tilla Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe u sollën drejt Shqipërisë me një procedurë e cila nuk është e njëjtë me esktradimin. Ata nuk kaluan nëpërmjet një procesi gjyqësor, por dukej që ishte një procedurë e shpejtuar dhe e vendosur në pak kohë.
Të dy persona mbërritën në vendin tonë në orët e vona të datës 13 gusht dhe nga video e shpërndarë nga policia , dallohej që ishin marrë në mënyrë të beftë nga kamp ku qëndronin, veshjet e tyre e tregonin ketë.
Njoftimi për këtë aksion të autoriteteve shqiptare u bë nga ish drejtori i policisë Muhamet Rrubmbullaku, i cili atë ditë kishte dalë në konferencë për të sqaruar një tjetër ngjarje të rëndë që kishte ndodhur, vrasja e Englatin Progës, në Pogradec.
Mbi veprimet e policisë në këtë ngjarje u ngritën shumë pikëpyetje dhe sigurisht që lajmi për sjelljen e Plaurent Dervishajt në Shqipëri do të zbuste disi zemërimin publik që kishte ato ditë ndaj Policisë së Shtetit. Dervishaj akuzohet për vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lamës dhe Artan Arsin në vitin 2005. Gjithashtu mbi të rëndon akuza e tentativës për të vrarë ish prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, të cilët u plagosën në atë ngjarje. Në këtë atentat mbeti i vrarë shoferi i ish prokurorit Andi Maloku. Për pjesëmarrjen në ngjarjen e nëntorit të 2019 është arrestuar edhe Julian Meçe.
Sjellja e këtyre dy personazhe nga Dubai i cili deri në mesin e gushtit ishte konsideruar një oaz për persona që kanë probleme me drejtësinë në Shqipëri hapi një tjetër lojë tashmë. Pas këtij operacioni të zhvilluar askush nga personazhet e botës së krimit vendosur atje prej disa vitesh nuk është i sigurt.
20 persona të dënuar apo shpallur në kërkim janë të identifikuar nga agjencitë shqiptare të sigurisë se qëndrojnë në Dubai. Këta persona e kishin të parashikuar vite më parë qëndrimin e tyre në këtë parajsë fiskale e penale dhe nga aty të drejtonin kryesisht trafikun e kokainës. Ata një pjesë të parave i investonin në këtë dhe sipas informacioneve të angjesive ato i kalojnë dhjetëra millionë euro , kryesisht në pasuri të patundshme.
Ndër shqiptarët e parë të cilët u vendosën në këtë vend ishin vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, të njohur ndryshe si grupi i Dubait. Për vite me radhë ata punuan në Europë, duke ngritur linjat e trafikut për grupin e tyre dhe më pas u vendosën në Dubai nga frika se mund të arrestoheshin.
Franc Çopja ishte ai që kishte kontaktet dukë u kthyer në personin që nuk kishte problem të trafikonte tonelata me kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, kryesisht Blegjikë, Hollandë dhe Gjermani.
Ai u kthyer në një problem serioz për drejtësinë belge e cila për vite me radhë tentoi ta ekstradonte nga Dubai. Ndërsa në Shqipëri Franc Çopja eliminonte kundërshtarët e tij duke e kthyer Elbasanin në një Palermo, pasi për 6 vite urdhëroi disa vrasje dhe disa të tjera mbetën në tentative. Kundërshtarët e tij ishin vëllezërit Endrit dhe Erion Alibej, ky i fundit tashmë i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Por duket se përralla arabe për Franc Çopjan mbaroi pasi në dhjetor të vitit të kaluar ai u ekstradua në Belgjikë ku akuzohet për vrasjen e Arjan Spahiut në Bruksel, lidhje e afërt e vëllezërve Alibej.
Ndërsa Hajdar Çopja, vëllai i Francit vazhdon të qëndrojë në Dubai por klani “Çopja” me arrestimin e 32-vjeçarit ka marrë një goditje shumë të fortë pasi ai konsiderohej koka dhe ishin lidhjet e tij që bënin të mundur trafikimin e tonelatave me kokainë drejt Europës. Gjithashtu po lidhjet e tij në Shqipëri që bënin të mundur eliminimin e kundërshtarëve dhe pastrimin e parave të drogës në fushën e ndërtimit.
Duke qenë se jemi në Elbasan një tjetër personazh i rëndësishëm i grupeve të këtij qyteti ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Florenc Çapja i kërkuar nga drejtësia shqiptare dyshohet se ndodhet në këtë vend. Ai kërkohet në vendin tonë si një nga organizatorët e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e birë, vrasje e ndodhur në vitin 2012 në Elbasan.
Pavarësisht kësaj prej vitit 2021 ai qëndron i lirë në Dubai për shkak se vendi ynë e ka shumë të vështirë që ta ekstradojë në mungesë të një marrëveshje mes dy shteteve.
Eldi Dizdari është një tjetër personazh shumë i njohur i botës së trafikut që ndodhet në Dubai. Ai kërkohet nga antimafia italiane si pjesë kartelit “Los Blancos” përgjegjës për trafikimin e disa tonëve kokainë. Edhe një vend si Italia nuk ka mundur të çajë bllokadën ligjore për ta ekstraduar këtë person. Eldi Dizadari është i njohur në vendin edhe për përfshirjen e në atë që njihet si masakra e bllokut, ku u vra Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljo Hato. Në lokalin ku ndodhi ngjarja ka qenë dhe Dizdari dhe Ervin Mata, të dy të rëndësishme në trafikun e kokainës. SPAK ka njoftuar disa kohë më parë se kishin sekuestruar disa pasuri që Dizdari kishte të regjistruara në Shqipëri dhe janë produkti i aktivitetit të tij kriminal.
Në morinë e shqiptarëve që kanë zgjedhur Dubain për t’u fshehur është edhe Durim Bami, i kërkuar nga SPAK në kuadër të operacionit revanshi. Ai akuzohet për sigurim kushtesh për të kryer vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai ka tentuar të vrasë ish deputetin e PS Arben Ndoka. Gjithashtu ka kultivuar kanabis me ndihmën e policisë në zonën e Krujës përgjatë disa viteve.
Në Dubai dyshet se ndodhet edhe Valter Bami,vëllai i Durimit edhe ky personazh plot me dritë-hije dhe disa herë i ndaluar nga policia shqiptare për ngjarje të rënda dhe po aq herë është liruar.
Disa persona të tjera nga zona e Fushë Krujës dhe Niklës dyshohet se ndodhen në Dubai për të cilat autoritete tona e kanë informacionin se janë atje.
Gjithashtu një sërë personazhesh të tjera nga Durrësi, Tirana, Elbasani apo Lushnja ndodhet atje, por me zhvillimet e fundit përralla e tyre arabe duket se është drejt fundit.
Askush nuk është me i sigurt dhe nuk ka garancinë që nuk do të ekstradohen në vendet ku kërkohen. Sjellja e Palurent Dervishaj dhe Julian Meçes me një procedurë duke shmangur gjykatën ka lëvizur shumë ujëra. Pyetja që ngrihet dhe shqetëson këta persona tani është nëse Dubai është i sigurt edhe pse ata kanë para dhe kanë investuar aty. Cila do të jetë lëvizja e radhës e tyre të cilët njihen për imagjinatën e tyre dhe a e kanë parashikuar që një ditë ëndrra për të jetuar të lirë dhe me para do të përfundojë? A e kanë ata gati një vend ku mund të shkojnë dhe a kanë mundësi të largohen nga Dubai apo ai është një vend nga i cili ata mund të dalin vetëm të prangosur.



