
Rinea Vitija, këngëtare e re vetëm 19-vjeçare nga Prishtina, ka një histori të gjatë me muzikën që nga fëmijëria.
Ajo ka nisur rrugëtimin e saj artistik në moshën 8-vjeçare, duke marrë pjesë në konkurse të ndryshme muzikore për fëmijë.
E ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, Rinea foli për karrierën e saj muzikore dhe për publikimin e dy këngëve të para, ndërkohë që paralelisht ndjek studimet në dy fakultete, atë të Muzikës dhe të Ekonomisë.
Me muzikë kam filluar që në moshën 8-vjeçare, duke marrë pjesë në gara të ndryshme. Më pas vazhdova me publikimin e këngëve personale. Gjatë rrugës jam përballur me vështirësi, ndonjëherë me mungesë vlerësimi, por edhe me mbështetje nga profesionistë të fushës. Përderisa e bëj me pasion, kam vazhduar përpara.
Baladat janë zhanri ku ndien më shumë emocion dhe gjen veten artistikisht:
Kënga ime e parë ka qenë një baladë, ndërsa e dyta është më ritmike. Kënga ime e dytë titullohet ‘Sot mu kanë tha’.
Deri tani kam marrë reagime shumë pozitive. Më pëlqen të këndoj balada, sepse aty ndjej më shumë shpirt.
Në ‘Prishtina Kids Fest’ fitova vendin e parë kur isha 12 vjeçe. Më pas mora pjesë në Festivalin e Komunës së Prishtinës dhe më vonë në festivalin e fëmijëve në Shqipëri, ku u vlerësova si ‘zëri më i bukur i festivalit’.
Përveç muzikës, Rinea po ndjek me përkushtim edhe studimet në dy fakultete njëkohësisht.
Jam çdo ditë mes fakultetit të Muzikës dhe atij të Ekonomisë.
Është sfiduese, por dua t’i përfundoj të dyja. Kam synime të qarta dhe besoj se mund t’i arrij.
Sa i përket ëndrrave të së ardhmes, ajo e sheh veten në skena të mëdha ndërkombëtare.
Kam ëndërr të performoj në skena të mëdha, ndoshta një ditë edhe në Amerikë, para një publiku të gjerë.
Admiroj shumë Beyoncé-n dhe mendoj se kemi ngjashmëri në stil dhe energji.



