Një 47-vjeçar nga Vora është ekstraduar nga Skocia ditën e sotme, pasi ishte shpallur në kërkim për një vrasje 22 vite më parë. Ekstradimi i Astrit Picarit të dënuar me 17 vite burg për “Vrasje me dashje”, u krye nga Edinburgh në Skoci, nga Specialistët e Interpol Tirana.
“Shtetasi në kërkim ndërkombëtar Astrit Picari u ekstradua nga Edinburgh/Skoci dhe ju dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr 532, datë 20.11.1997 e ka dënuar me 17 vjet burgim për veprën Penale të “Vrasjes me dashje” parashikuar nga neni 76 dhe 278/2 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Në datë 20.10.1995, shtetasi Astrit Picari pas një konflikti në një lokal në zonën e Vorës ka ndjekur dhe më pas ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta shtetasin K.M.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Autoritetet Skoceze, u bë i mundur arrestimi i tij në Edinburgh/Skoci dhe ekstradimi e tij drejt vendit tonë.



