
Arrestohet nga RENEA, Ardjan Çapja dhe shpallet në kërkim Florenc Çapja, të cilët akuzohen se kanë vrarë në vitin 2012 babë e bir në shtëpinë e tyre, Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri.
Arrestimi i tyre erdhi si rezultat i opracionit "Krasta 2021" në Elbasan, ku operacioni i zhvilluar nga RENEA, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan çoi në pranga Ardjan Çapja, person me precedent të theksuar kriminal, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012.
Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese" kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje".
Këta persona, në vitin 2012, dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).
Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.
Vijon puna nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve.



