Një ditë para përpara se akti normativ anti-KÇK të kalojë në seancën plenare në Kuvend, i parashikuar për nesër më 5 mars, ka ardhur reagimi i ashpër i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që e cilëson këtë akt normativ anti-kushtetues dhe se cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve si dhe të drejtat dhe liritë e njeriut.
Në një deklaratë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit së bashku me 22 organizata të tjera, kërkohet nga Kuvendi, që ky Akt Normativ miratuar nga Këshilli i Ministrave, të reflektojë dhe ta rrëzojë atë, pasi shkel dhe mbivendos shumë të drejta kushtetuese, sidomos me organet e reja të drejtësisë si SPAK dhe Gjykata e Posaçme Anti Korrupsion.
"Paketa Anti KÇK, bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara nga Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese' shkruhet në deklaratë, ndërsa theksohet se 'ky akti normativ mbingarkon SPAK dhe Gjykatën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me kompetenca në tejkalim të atyre kushtetuese, ndërkohë që këto institucione po përballen me një numër voluminoz dosjesh të mbartura".
Në lidhje me punën e OFL në terren, Komiteti i Helsinkit shprehet se disa nga sekuestrimet e saj mund të rrëzohen nga gjykata si veprime jo në përputhje me standardet kushtetuese dhe mund të bëhen subjekt për dhënien e vendimeve penalizuese nga Gjykata e Strasburgut, në favor të individëve që i nënshtrohen masave kufizuese në të ardhmen.
Akuzat e ngritura nga Komiteti i Helsinkit janë të njëjtat me ato të ngritura më herët nga opozita, se paketa Anti-KÇK është mbivendosje e SPAK dhe se shkel shumë ligje kushtetuese me veprimet e saj.



