
Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç (në foto), tha të martën se autoritetet kanë arrestuar katër persona, të cilët dyshohet se sulmuan dy shqiptarët e Kosovës në Novi Sad në fundjavë.
"Pas një hetimi intensiv, policia i ka identifikuar katër agresorët që sulmuan dy të rinj”, tha Stefanoviç për gazetarët, raporton gazeta Blic.
"Rrobat që të dyshuarit mbanin veshur janë gjetur gjithashtu, pasi ato janë të rëndësishme për hetimet", shtoi ai.
Dy shqiptarët 19-vjeçarë u sulmuan herët në mëngjesin e së dielës në Novi Sad. Njëri prej tyre ende po lufton për jetën e tij në një spital lokal.
Mediat serbe raportuan se incidenti ishte i motivuar etikisht dhe se shqiptarët u sulmuan për shkak se flisnin gjuhën e tyre, edhe pse Stefanoviç shprehu dyshime për këtë.
"Pavarësisht hetimeve të deritanishme, përfshirë intervistat me të dyshuarit, por edhe me një të lënduar, ka dyshime në lidhje me bazat etnike të këtij incidenti”, tha Stefanoviç.
Incidenti i së dielës u dënua gjerësisht nga zyrtarët serbë dhe kosovarë dhe nga OJQ-të e të drejtave të njeriut.



