Banorët e zonës së “Astirit” në Tiranë kanë protestuar sërish kundër prishjes së banesave të tyre, për shkak të punimeve që do të kryhen për projekin e Unazës së Madhe. Ata thonë se nuk do lejojnë prishjen e banesave deri në marrjen e dëmshpërblimit.
Ata kanë bllokuar për rreth një orë qarkullimin dhe kanë kërkuar bisedime me qeverinë.
Banorët e zonës së “Astirit” thonë se projekti i zgjerimit të rrugës prek 490 ndërtesa, shumica e të cilave janë në proces legalizimi.
Protesta e sotme është e disata që zhvillohet brenda tre javëve të fundit, që prej momentit kur përfaqësues të Ministrisë së Transporteve ARRSH-së dhe firmave private u komunikuan banorëve të kësaj zone se do të nisin punimet për zgjerimin e rrugës, por pa iu shpjeguar nëse do të dëmshpërblehen apo se ku do të transferohen.
Të dielën e kaluar, ata kanë zhvilluar një protestë tjetër duke bllokuar qarkullimin për rreth 60 minuta.



