Kanë jetuar mes nesh si normal, por në realitet brenda vetës kanë fshehur nga vrasës serial, MostWanted e deri tek grabitës apo përdhunues e të dënuar për krime seksuale. Janë këto profilet e 137 personave të arrestuar nga Operacionalja, skuadra speciale në policinë e shtetit.
Deri në momentin që njësia Operacionale u ka trokitur në derë 137 persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore kanë jetuar mes qytetarëve të Shqipërisë përgjatë vitit 2025 dhe Janar 2026.
Nga të dhënat zyrtare që ka siguruar emisioni “FactCheck” në MCN TV rezulton se 137 shtetas në kërkim janë arrestuar në kuadër të aksioneve koduar “Operacionalja”.
Mes tyre 87 persona kanë qenë të shpallur në kërkim për llogari të partnerëve dhe krimeve apo shkeljeve ligjore që kanë kryer jashtë territorit të vendit.
Ndërsa trupa speciale e drejtuar nga Melsi Koçi ka prangosur përgjatë vitit që lamë pas edhe 50 persona me status kërkimi Kombëtar, shumica e tyre për llogari të SPAK.
Skuadra Operacionale në varësit të departamentit për krimet në Policinë e Shtetit përbëhet nga një trupë me kompetenca kombëtare dhe në terren janë përgjatë 24 orëve në 12 qarqet e vendit.



