Ka dështuar sërish sot edhe seanca e 36 për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës. Analisti Driton Lajçi thotë se nuk pritet zgjidhje e shpejtë e këtij ngërçi. Kjo ka të bëjë më shumë me strategjitë që po ndjekin forcat politike sesa me mundësitë për kompromis. Sipas tij, këto të fundit kanë ekzistuar gjithmonë, madje kanë shërbyer si bazë për marrëveshje.
Nëse marrim dhe shikojmë praktikën e negociatave dhe zgjedhjeve që kanë bërë partitë politike në të kaluarën, kanë hapur krahun. P.sh. zoti Thaçi ka pranuar që kryetari i LDK të jetë kryeministër dhe vetë zv.kryeministër.
Kosova nuk është se s’ka përvoja me parti që kanë bërë kompromise. Edhe kur kanë fituar zgjedhjet. Ka qenë një rast dramatik kur PDK dhe LDK edhe pse kanë pasur raporte jomiqësore, kanë bërë marrëveshje. Pra, nuk është se Kosova nuk ka traditë të mirë sa i përket krijimit të koalicioneve. Prandaj, partia e parë është përgjegjëse për të hapur krahun, për të bashkëpunuar.
Nuk besoj se do të kemi zgjidhje të shpejtë. Partitë politike i kanë taktikat e veta. Kemi hyrë në atmosferën e zgjedhjeve lokale dhe thonë se partia e parë po blen kohë në mënyrë që t’i mbajë edhe zgjedhjet e parakohshme njëkohësisht. Kriza do të vazhdojë. Partitë politike duhet të shikojnë përtej kodrës.
Politika është kompromis. Nëse do krijimin e institucioneve dhe të kanë vënë kusht kandidaten, atëherë duhet të ndërrosh kandidaten.



