Këtë të diel, vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe breshëri, duke shkaktuar edhe problematika në disa zona të Korçës, Elbasanit dhe Lezhës. Ndërkohë, si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve të dendura të shiut, një pemë është thyer duke bllokuar rrugën Bulgarec-Korçë. Dy fshatra të bashkisë Maliq dhe një Korçë kanë mbetur pa energji elektrike. Reshje të dendura shiu e breshëri kanë rënë edhe në qytetin e Elbasanit.
Lezha gjithashtu ishte nën pushtetin e reshjeve të dendura të shiut të cilat shkaktuan përmbytje në rrugë dhe në disa biznese. Situata më problematike u krijua përgjatë bulevardit “Gjergj Fishta”, rrugën pranë shkollave, bllokun e banimit në zonën “11 janari” dhe "11.2 hektarë" të lagjes "Besëlidhja". Niveli i ujit arriti në rreth 30 cm dhe lëvizja ishte mjaft e vështire. Kjo situatë meteorologjike do të vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes kur pritet përmirësim i kushteve atmosferike duke rikthyer sërish motin e kthjellët.



