Politikat fiskale të Shqipërisë kishin ndikim shumë të dobët në uljen e pabarazisë thotë ”World Social Report 2025” nga Kombet e Bashkuara. Në studion e MCN TV, eksperti i ekonomisë, Pano Soko, tha se politikat fiskale të qeverisë, në vend që të luajnë rol rregullator, kanë bërë të kundërtën.
Soko u ndal te taksimi i mallrave jetike, që sipas tij rëndon shtresën e varfër.
Është pasojë e strukturës fiskale që ne kemi. Në modernizimin e shoqërisë, politikat fiskale përveçse furnitori kryesor me para për shërbimet publike. Pabarazia që krijohet duhet të zbutet dhe për këtë vendosen politikat fiskale. këtu në Shqipëri nuk ndodh. Problemi është te struktura. Gati 70% të të ardhurave i realizojmë me taksën e konsumit. TVSH bie direkt mbi konsumin. Kush e realizon konsumin? Shtresat e poshtme, të cilat janë të shumta në numër. Pra duke e bazuar politikën fiskale te kjo, ti merr pjesën më të madhe të shtresat më të varfra.
Nëse ti takson ushqimin, këta që po bëjnë para do të fillojnë të shkëputen akoma më tepër. Hendeku zgjerohet. Politika fiskale nga rol rregullator për të zbutur, bën të kundërtën.
Unë kam kërkuar diferencim të TVSH. Ushqimi dhe uji janë nevoja bazike. Nuk duhet të kenë taksa. Nevojat bazike të qenies për të mbijetuar nuk taksohen. Nuk mund të ketë taksë mbi bukën. Buka është për të mbijetuar. Sot një Lamborghini e ka TVSH 20%, sa një bukë. Nuk është e drejtë. Nuk mund të paguajë 15% tatim fitimi një biznes i vogël me një biznes tjetër që bën 100 milionë euro fitim. Pse duhet të ketë ndryshim? Burimet që përdor një biznes me 100 milionë euro janë shumë më të mëdha jo vetëm në sasi por edhe në cilësi.



