
Katër agjentë të DEA-s amerikane kanë mbërritur në portin e Durrësit, ku një javë më parë u kap sasia më e madhe e kokainës në Shqipëri. Agjentët specialë kanë kontrolluar mënyrën e procedimit të Agjencive në Portin e Durrësit në lidhje me hetimin e kokainës. Agjencia Amerikane e Antidrogës ka në Athinë qendrën që mbulon rajonin e Ballkanit. Agjentët e DEA-s kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet Pikës Kufitare të Kakavijës.
Një sasi prej 613 kg kokainë u gjet e fshehur në dyshemenë e dyfishtë të një kontejneri me banane që kishte mbërritur në portin e Durrësit.
Policia ka shpallur në kërkim pronarin e "Arbri Garden", Arbër Çekaj, në magazinat e të cilës u kontrollua dhe zbulua ngarkesa me kokainës. Ndërsa në pranga janë vënë menaxheri dhe shoferi i kompanisë.
Ndaj tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.



