Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë se autoritetet i cilësojnë si sulme terroriste incidentet e shënuara një ditë më parë në veri të Kosovës. Siç raporton REL, Svelça ka vlerësuar se ngjarjet në fjalë përbëjnë “sulm ndaj rendit kushtetues, shtytje e veprave terroriste, kryerje e veprave terroriste, zjarrvënie dhe mbajtje dhe posedim i armëve”.
Sveçla u shpreh në një konferencë shtypi se në bazë të dhënave të para të mbledhura nga terreni, “qoftë nga policia, qoftë nga inteligjenca, një pjesë e këtyre kriminelëve" kishin qenë në të kaluarën pjesë e Policisë së Kosovës.
“Sipas informatave që kemi, disa prej tyre janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, nuk po them të gjithë, por disa janë nga zyrtarët që kanë dhënë dorëheqje kohëve të fundit”, tha Sveçla.
Pjesëtarët e komunitetit serb, pjesë e Policisë së Kosovës, u tërhoqën nga institucionet në veri në fillim të nëntorit. Tërheqja erdhi në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me rirregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.



