Bishtat e hedhura të cigareve dhe çamçakëzët e përtypur janë përdorur për të krijuar portrete 3D për një ekspozitë të re në Koleksionin Wellcome.
Artistja amerikane, Heather Dewey-Hagborg mblodhi në rrugët e Nju Jorkut bishta cigaresh dhe çamçakëzë të përtypur për projektin e quajtur Stranger Vision.
Ajo pastaj analizoi ADN-të për të gjetur gjininë dhe përkatësinë etnike të njerëzve të përfshirë, si dhe ngjyrën e tyre të mundshme të syve dhe tipare të tjera, duke përfshirë madhësinë e hundës së tyre, përpara se të përdorte një program gjenerues të fytyrës dhe një printer 3D për të krijuar një seri të portreteve spekulative.
Gjithashtu në galerinë e re, kushtuar eksplorimit të "asaj që do të thotë të jesh njeri në shekullin 21", është një seri punimesh nga artistë me aftësi të kufizuara përfshirë Yinka Shonibare.
Shfaqja e re e titulluar “Të qenit njerëzor” do të paraqesë rreth 50 pjesë dhe objekte që pasqyrojnë ndryshimin e marrëdhënieve me botën, duke eksploruar besimin, identitetin dhe shëndetin. Ajo do të ndahet në katër seksione: Gjenetika, Mendjet dhe Trupat, Infeksioni dhe Prishja e Klimës.



