
Komisioni Europian propozon heqjen e ndryshimit të orës në të gjithë BE-në. Në një intervistë për kanalin gjerman ZDF, presidenti i KE, Jean-Claude Juncker tha se përderisa ka gjetur mbështetje te njerëzit, një nismë e tillë do të vihet në zbatim.
Në një sondazh të kryer online gjatë korrikut dhe gushtit, shumica e 4.6 milionë të pyeturve është shprehur pro mbajtjes së pandryshuar të orës për gjithë vitin.
Juncker ka shpjeguar se propozimi zyrtar mund t’i paraqitet Brukselit që sot (31 gusht). “Kemi bërë një konsultim publik gjatë të cilit janë shprehur miliona qytetarë. Ata mendojnë se në të ardhmen duhet të mbahet ora verore dhe kjo të kthehet në një rregull të përgjithshëm”, ka thënë ai.
Kjo do të thotë që në vjeshtë të mos ketë ndryshim të orës. Nisma duhet të miratohet nga Parlamenti Europian, krerët e shteteve anëtare dhe Këshilli i Europës.
Kërkesa për të hequr dorë nga ndryshimi i orës mbështetet në masë të madhe sidomos nga opinion publik në vendet e Europës Veriore, ku janë të shumta ankesat për dëmet që i sjell ai shëndetit.
Vendet që e mbështesin abrogimin jabë Finlanda, Suedia dhe disa shtete në Europën Lindore, por ato nuk kanë mundur të sigurojnë shumicën. Në shkurt, Parlamenti Europian e bllokoi këtë nismë.
Nisma synon anulimin e direktivës europiane të vitit 2000, e cila i detyron shtetet anëtare të ndërrojnë orën dy herë në vit: në një nga datat e periudhës 25-31 mars dhe në një fundjavë mes dative 25-31 tetor.



