
Ish-presidenti Bamir Topi në emisionin “Të Paeskpozuarit” në MCN TV u shpreh se duke u bazuar në eksperiencën e tij politike, ai nuk e sheh opozitën afër pushtetit për disa vite.
“Po të futem në subkoshiencën e zotit Basha, ai çdo dalje e ka prej halli. Ai e shikon më shumë se çdo kush tjetër gjendjen në PD. Sot ka një anomali dhe ai kërkon të kapet pas kësaj. Ai e ndjen veten një kryetar I zgjedhur së fundmi. Në rast se do të shkojë kjo lloj dinamike do të kemi një braktisje të Bashës.
E kemi parë në Shqipëri që nuk e kanë të vështirë të bëjnë kapërcime dhe tradhti sepse tek e fundit marrëdhënia e fundit që kanë me Bashën nuk është solide. Ajo që ritheksoj janë dy faktorë që veprojnë brenda një kllape dhe para se të dalësh në marrëdhënie me kllapat e tjera në ekuacion. Faktori që del nga kjo kllapë del me valenca të shumta. Ka inflacion.
Unë kam kaq vite në politikë, por nuk e shoh këtë opozitë afër pushtetit kushedi për sa vite. Nuk dua të jem cinik me PD sepse është një histori personale dhe e imja. Shumë kolegë të mitë që kanë kaluar situate të vështira, por unë shoh më tej. Në këtë rast do I referohesha mjekësisë latine është mjekimi e prima intensione do të thotë që plagën kronike duhet ta pastrosh dhe të krijosh kushtet për plagën akute. Plaga akute për mua sot është rithemelim I frontit të së djathtës. Kam luksin që betejën për parime me Berishën kam vite që e bëjë dhe kam të drejtën morale të them këto gjëra.”, u shpreh Topi.



