Ditën e sotme, një përfaqësi e banorëve të pallatit numër 15, pranë tregut të vogël industrial në Durrës kanë zhvilluar një protestë.
Ata u mblodhën përpara Bashkisë së Durrësit për të parashtruar kërkesën e përsëritur, për riforcimin e godinës së dëmtuar rëndë nga tërmeti i 2019.
Pa bonus qiraje dhe pa shtëpi, këto 65 familje kanë mbetur në udhëkryq.
Ndërsa kanë deklaruar se janë në kushte ekstreme ekonomike, kanë kërkuar dhe një përgjigje konkrete nga autoriteti vendor se kur do të nisin punimet për riforcimin.
Ka arritur kulmi, nuk po durojmë dot më. Jemi të sëmurë, jemi pensionistë, çfarë do të bëhet me pallatin tonë. Ku t’i gjejmë ne lekët? Na sëmurën.
Bashkia nuk i është përmbajtur kontratës që ka bërë me ne. Në kontratën thuhej se ditën që hyjmë në shtëpi, ndërpritet bonusi.
Në përgjigje të kërkesës së 65 familjeve, Bashkia Durrës bën me dije se ky pallat është përfshirë në listën e 7 godinave që do të riforcohen me fondet e bashkisë Durrës. Institucioni i qeverisjes vendore është në pritje të vendimit nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit për dhënien e aprovimit lidhur me këto 7 godina dhe më pas do të zhvillohen procedurat e tenderit për riforcimin e këtyre godinave me nivel dëmi DS4.



