Avokatja Aurora Marku rrëfeu në studion e MCN Informacion dinamikën e ngjarjes së rëndë që ndodhi një ditë më parë në Gjykatën e Apelit. Marku, e cila ka qenë e pranishme në mjediset ku ndodhi vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, tha se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe autori doli para ndërtesës së gjykatës për të pritur policinë.
Ata kanë qenë të qetë. 5-6 minuta pas hyrjes në sallë ndodhi ngjarja. Janë ndier krismat. Ne hymë në një rrugicë që të çon te sekretaria. Nuk e pamë më autorin. Ai ka dalë vetë dhe ka dorëzuar armën vullnetarisht. Ka pritur para gjykatës, te sheshi, derisa erdhi policia. Ishte si një film i shkurtër. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Ndërhyrja e policisë ishte në kohë rekord. Por edhe sikur policia të ishte vonuar, ai nuk kishte ndërmend të arratisej. Por priste me duar në xhepa. Ne të gjithë ishim fshehur te pjesa e sekretarisë. Trupi ka dalë nga dera kryesore. E kam marrë vesh nga mediat që është vrarë. Ishte shumë e rëndë.
Marku tha se përqendrimi i gjykatave të apelit vetëm në Tiranë e ka rënduar punën e gjyqtarëve dhe ka zgjatur kohën e proceseve.
Bëhet fjalë për një pronë që zvarritej në gjykata prej 20 vitesh. Ai dispononte një certifikatë pronësie. Zvarritja që ndodh në gjykata me çështjet e pronësisë është një kambanë alarmi. Çështjet e pronësisë kanë vite që zvarriten. Por në Apel ato shkojnë shumë vonë, sepse ka vetëm një gjykatë apeli.



