Gazetari Klodian Tomorri thotë se ligji i ri për lojërat e fatit do të krijojë një mjedis të mirë për legalizimin e aktivitetit, që pavarësisht se u mbyll nga qeveria disa vite më parë, nuk u ndal asnjëherë. Tomorri tha në studion e MCN Economy se një ligj i hartuar mirë parandalon shthurjen e tregut.
Një ligj që rregullon mirë, i thjeshtë dhe që ka kritere të qarta që nuk lejojnë shthurjen e tregut do të krijonte një ambient shumë të mirë që industria të legalizohej.
Tomorri tha se shifra e gjeneruar nga formalizimi i këtij aktiviteti mund të mos jetë ajo që ka përllogaritur qeveria, pasi nuk dihet çfarë ndryshimesh ka pësuar ky treg gjatë kohës kur ka qenë në informalitet.
Çdo gjë kaloi në informalitet. Arsyet e mbylljes ishin arsye sociale, por edhe kriminalizimi i këtij tregu në njëfarë mënyre. Rama tha se do tu kursejmë shqiptarëve kaq milionë euro, do mbyllim një plagë sociale, do të heqim nga duart e krimit një burim të fuqishëm financiar. Bastet nuk ndaluan, por filluan të luheshin masivisht jashtë ombrellës së ligjit. Katër vjet kjo. Qeveria u detyrua të hartojë një ligj për t’i rihapur me argumentin se “i mbyllëm, por nuk i ndaluam dot”.
Qeveria parashikon të ardhura përmes taksimit. Këto para kalojnë në një fond të posaçëm për sportin. Ne nuk e dimë asnjëherë sa të ardhura do të sjellë ky ligj. Shifra që përmend qeveria niset nga një përllogaritje e kohës kur ishin hapur: 2 miliardë lekë nga bastet sportive.
Tomorri tha se debatet për ligjin kanë në një masë të madhe karakter politik.
Është një nen për kriminalizimin e tregut. Është vendosur si një filtër që garanton që lojtarët që hyjnë në treg kanë një bekgraund dhe kanë një historik. Filtri mund të anashkalohet kollaj. Mund të hysh aksioner qoftë edhe me 1%. Nuk shoh pse duhet të kundërshtohet kaq fort.
Kundërshtohet ndonjëherë edhe sepse forcave u vjen inat që nuk po e bëjnë vetë por po e bën pala tjetër.



