
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e sotëm brenda ambienteve të gjimnazit në Cakran të Fierit ku dy adoleshentë janë konfliktuar me njeri tjetrin dhe njeri prej tyre është plagosur me thikë në krahë.
Gazetarja Evi Gjini në një lidhje telefonike me MCN Live shprehet se ngjarja ka pasur motiv banal por mbetet të zbardhet, ndërsa nga shkolla informacioni është i bllokuar madje kanë mbyllur dyert për mediat.
Policia nga ana e saj ka informuar se konflikti ka ndodhur në 8 e 30 para se të niste mësimi dhe njëri prej tyre ka plagosur në krah bashkëmoshatarin tij me thikë me katër prerje.
Mjekët shprehen se është jashtë rrezikut për jetën, por mbetet e rëndë si ngjarje për shkak se janë raste të përsëritura dhe futja e mjeteve prerëse në ambientet shkollës.
Autori është kapur dhe është dërguar në polici ku po merret në pyetje dhe në prani të psikologes, ndërsa i plagosuri ndodhet në spital nën shoqërinë e prindërve.
Mesa duket kanë munguar kontrollet në hyrje të shkollës përderisa adoleshenti ka mundur të hyjë brenda ambienteve të saj me thikë.
Ndërsa drejtori i qendrës shëndetësore Cakran, Tonin Xhelaj, në një intervistë për mediat ka pohuar se i mituri i dëmtuar është paraqitur për ndihmë mjekësore i shoqëruar nga shokët teksa ka marrë 4 plagë.
Jemi njoftuar nga mësuesit se ka ndodhur një ngjarje në shkollë dhe më pas i mituri është sjell në ambulancë nga shokët.
Nxënësi i plagosur ka ardhur me pak hemorragji në krahun e majtë, por gjendja ishte e qëndrueshme e 17 vjeçarit, por motivet nuk i di.
Ju dha ndihma e parë e nevojshme këtu dhe më pas është nisur për mjekim më të specializuar në spitalin e Fierit.



