
Arben Lleshi, i cili mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri të ndodhur në burgun e Peqinit, vuante dënimin për vrasje.
Në vitin 2016, ai u soll me pranga në duar nga Londra për në Tiranë, pasi ishte dënuar nga drejtësia angleze me 32 vite burg për vrasjen e një bashkatdhetari, ngjarje e ndodhur disa vite më parë.
Arben Lleshi, nga fshati Laç-Bruçi i Matit, ishte dënuar me 32 vjet burg për vrasje, nga një gjykatë në Britani. Ai është autori i vrasjes së Agim Hoxhës, në 10 prill 2012.
Mediat britanike shkruanin atëherë se Hoxha u vra në një apartament në qytetin anglez të Southempton, dhe më pas, trupi i tij u dogj në një makinë tip “Mercedes Benz”.
Për këtë ngjarje u dënuan me burg edhe vëllai i Lleshit, 46-vjeçari Afrim Lleshi, i cili ka pranuar para gjykatës se ka bashkëpunuar në shfarosjen e trupit të viktimës.
Nga të dhënat paraprake për ngjarjen e sotme, raportohet se një i dënuar Sokol Mjacaj, ka qëlluar me armë zjarri.
Mjacaj ka qenë në ajrim dhe në ato momente ka pasur një pistoletë, e cila dyshohet se mund të jetë futur me dron.
Ai i është afruar dritares së një të burgosuri Arben Lleshit, të cilin e ka qëlluar tre herë, duke e vrarë.
Krahas tij, dy të burgosur të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Macaj ndodhet në burg për vrasjen e dy turistëve çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit, për t’i grabitur, teksa udhëtonin me automjetin e tyre.



