Drejtori i Institutit Gjeopolitik në Kosovë Sadri Ramabaja duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi bisedën Trump-Vuçiç tha se në Beograd ka entuziazëm për një diplomaci të re, ku SHBA të tolerojë platformën për botën serbe. Megjithatë Ramabaja mendon se nuk do të rikthehet më debati për shkëmbimin e kufijve Kosovë-Serbi, e cila thekson ai s’ka qenë ide e Trump-it. Po ashtu ai vë në dukje se mungon partneri kryesor i Vuçiçit në idenë për shkëmbimin e kufijve, Hashim Thaçi, dhe realiteti në Veriun e Kosovës është krejt i ndryshëm.
Duke folur mbi bisedën Vuçiç-Trump, Ramabaja tha:
“Biseda me Vuçiçin është e qartë. E ka bërë zyrtare Presidenca e Serbisë. Ata kanë qenë pala më e entuziazmuar për fitoren e Trump-it. Shpresojnë që mund të këtë efekte pozitive për projektin e tyre shekullor të ashtuquajtur, për botën serbe, platformën për të cilën e kanë miratuar në qershor të këtij viti. Entuziazmi është i bazuar, dhe ia vlen të diskutohet. Presioni është ushtruar vazhdimisht ndaj Kosovës dhe Bosnjës, duke i bërë koncesione Serbinë, me idenë se kjo është rruga për ta tërhequr nga aureola e Rusisë. Ambasadori Hill është njohës i shkëlqyshëm i Ballkanit. Ai ka insistuar të vazhdojë të kryejë misionin për tërheqjen e Serbisë nga aureola ruse. Ai duhet ta pranojë që ka dështuar gjatë këtij misioni. Ideja që mund të arrihet me një diplomaci të re, siç mund të jenë të dërguarit e Trump, investimeve në Beograd, dhe tolerimin për realizimin e platformës për botën serbe, është e qartë se po, mund të bëhet diçka e tillë”.
Duke u ndalur te asociacioni, ai thotë:
“Ose do hidhet poshtë marrëveshja e Brukselit, siç ka insistuar duke e zvarritur zbatimin e saj Beogradit, ose do këmbëngulet që marrëveshja të realizohet gradualisht. Serbia ka refuzuar, edhe me shkrim, këtë marrëveshje, pjesën qenësore të saj. Edhe kryeministri aktual ka refuzuar çfarëdo marrëveshje që njeh pavarësinë e Kosovës, qoftë edhe de facto. Kemi të bëjmë me mungesën e vullnetit politik të Beogradit për zbatimin e kësaj marrëveshje”.
Lidhur me pritshmëritë për heqjen e non gratës për Dodikun, dhe mundësisë së rikthimit të Grenellit në pozicione të larta të administratës amerikane, Ramabaja shprehet:
“Ky i fundit (Dodiku) iu gëzua fitores së Trump-it, siç ka vepruar një pjesë e opozitës në Tiranë dhe Prishtinë. Është krejtësisht në pritshmëritë e Dodikut, Vuçiçit, dhe autoritarëve të tjerë rajonalë dhe europianë. Emri i Grenellit është lakuar në media si i mundshëm që të rikthehet si bashkëpunëtor në nivele të larta, por deri tani s’është lakuar si Sekretar Shteti dhe i dërguar për Ballkanin. Kam përshtypjen që Trump s’do shkojë në ekstrem të emërojë si Sekretar të Jashtëm Grenellin, por raportet do prisheshin edhe më shumë mes BE-së dhe SHBA-ve, konkretisht Francë-Gjermani dhe SHBA”.
Pyetjes, a mund të rikthehet si debat çështja e shkëmbimit të territoreve, ai i përgjigjet:
“Ma merr mendja që jo për një arsye krejt reale, s’ishte ideja e Trump-it shkëmbimi i kufijve. Autorët realë kanë bërë përpjekje thelbin e çështjes ndarjen e Veriut. Vuçiçit i mungon partneri kryesor, Thaçi, qe ishte dakordësuar me të, me kushtin që t’i shpëtonte përndjekjes nga Gjykata Speciale. Kishte edhe përkrahje nga Tirana zyrtare. Opinioni e dënoi si akt tradhtie, s’ka gjasa të rikthehet. Atëherë s’e kishte Prishtina zyrtare kontrollin e Veriut të Kosovës. Në Veri është shtrirë sovraniteti i Kosovës dhe ruhet integriteti territorial”.



