Flakët që nisën nga Bashkia e Delvinës kanë pushtuar malin e Sopotit dhe tashmë kanë hyrë në territorin e Bashkisë Gjirokastër. Zjarri, i fuqizuar nga era dhe thatësira, kërcënon seriozisht qytetin e Gjirokastrës dhe fshatin Lazarat, raporton korrespondentja e MCN TV.
Mësohet se nënkryetari i Bashkisë Delvinë, Filip Xuxi, është dërguar në Urgjencë në gjendje të rënduar nga tymi.
Forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës janë hedhur në një betejë të ashpër për ta ndalur, të ndihmuara nga disa djem të Lazaratit, të cilët po përballen krah për krah me flakët. Çdo minutë është kritike, flaka ka mbuluar zonën dhe rreziku për përhapje është i lartë. Operacioni vazhdon pa asnjë garanci se zjarri do të ndalet së shpejti.



