
Nga Mustafa Nano
Ju me siguri prisni që monologu i sotëm t’i dedikohet asaj që ka ndodhur në Elbasan, por unë kam ngasjen t’i iki kësaj çmendurisë sonë këtu, dhe për të shkuar diku tjetër, në një vend që është shumë më i qetë sesa Shqipëria. Është fjala për Britaninë e Madhe.
Në Britani, në datën 6 maj, do të mbahen zgjedhjet komunale. Është një gjë që unë nuk e dija. E mora vesh para dy ditësh. Në përgjithësi, unë jam një ndjekës i mirë i jetës politike britanike; lexoj vazhdimisht shtypin britanik. Por unë nuk e dija se zgjedhjet komunale do të zhvillohen në 6 maj, sepse shtypi britanik nuk e ka bërë të udhës (duke përfshirë jo vetëm tabloidët, por edhe gazetat më të rëndësishme si: “The Guardian”, “The Telegraph” etj.) të informojnë publikun e tyre mbi ngjarje të natyrës elektorale. Unë e mora vesh, sepse përpara dy ditësh u raportua një lajm tjetër, i cili kishte të bënte me një ngjarje disi të pazakontë. Në qendër të saj ishte kryetari i Partisë Laburiste, Keir Starmer. Ai ishte në Bath, në kontenë e Somerset-it. Në një moment, ai vendosi të hyjë në një pub, ndoshta për të pirë ndonjë birrë. Mirëpo, sapo kapërcen pragun e pub-it, përballë i del dikush, i cili e pret me këmbët e para. Ishte i zoti i pub-it, që i thotë: “Ti zotëri nuk je i mirëpritur në pub-in tim. Ti nuk ke vend këtu.” Disa sekonda më pas, u dëgjua duke bërtitur të njëjtën gjë: “Dil jashtë nga pub-i im!” Keir Starmer doli i dëshpëruar, i kapur në befasi nga kjo ngjarje, por nuk mbaroi me kaq për të. I zoti i pub-it e ndoqi nga pas. Këtë herë, sepse i kërkonte shpjegime se përse opozita britanike, e drejtuar prej tij, i kishte mbajtur ison gjatë gjithë kohës qeverisë konservatore të Boris Johnson-it në të gjitha masat që kjo e fundit ka marrë në lidhje me COVID-in. Ai ishte i pakënaqur se përse opozita laburistë e kishte mbështetur qeverinë konservatore sa herë që kjo e fundit kishte marrë masa për të karantinuar të gjithë popullsinë e vendit për javë, e muaj të tërë; sa herë që kjo e fundit kishte marrë masa për të bllokuar punën e bizneseve, gjë që kishte sjellë për pasojë falimentimin e një numri shumë të madh biznesesh. Madje, i zoti i lokalit ishte i pakënaqur edhe që opozita laburiste kishte rënë dakord që edhe fëmijëve t’u vihej maskë në fytyrë, duke i shndërruar ata në alienë. Sido që sipas tij, nuk asnjë fakt që provon se fëmijët e infektuar me virus mund ta përcjellin atë te të tjetër. Në një moment të caktuar, ai nxjerr një copë letër, ku ishte një grafik, i publikuar nga qeveria britanike, dhe i drejtohet Keir Starmer-it me një pyetje: “A e di ti zotëri se sa është mosha mesatare e atyre që kanë vdekur nga COVID-i?” Dhe përballë vështrimit vuv e të zgurdulluar të kryetarit të Partisë Laburiste, ai u përgjigj: “Është 82 vjeç e tre muaj.” Dhe menjëherë më pas, i bëri një pyetje tjetër: “E di ti zotëri se sa është mosha mesatare e britanikëve që vdesin për shkaqe natyrore. Pra, sa është jetëgjatësia mesatare në Britaninë e Madhe?” Pa i dhënë kohë të përgjigjej, tha: “Është 81 vjeç. Dhe pikërisht në këtë rrethanë, kur mosha mesatare e atyre që kanë vdekur prej COVID-it është më e madhe sesa mosha mesatare e atyre që vdesin për shkaqe natyrore, ju keni marrë masa të jashtëzakonshme për të karantinuar të gjithë popullsinë, dhe për të provokuar falimentimin e mijëra e mijëra bizneseve.” Ky ishte motivi i zemërimit e të zotit të pub-it.
Kjo ishte ngjarja. Këtu, ka një numër gjërash që mua personalisht më bëjnë përshtypje. Në fakt, nuk dua të ndalem te mënyra se si ky qytetar britanik u soll me një politikan. Ishte një sjellje shumë e vrazhdë dhe unë mendoj se një udhëheqës politik britanik nuk e meriton këtë lloj sjellje. Por unë jam shqiptar. Duhet të jesh britanik për të folur për gjëra të tilla. Unë nuk jam dakord as me qëndrimin që ky qytetar britanik mban lidhur me COVID-in. Nuk është ndonjë mençuri e madhe të flasësh a posteriori lidhur me masat që kanë marrë qeveritë e botës për shkak të COVID-it. Ky i fundit ishte një flamë botërore, dhe të gjitha qeveritë e botës, të gjithë ne u kapëm gafil, në befasi. Ishte një gjë e paprecedentë, dhe qeveritë, sidomos, patën për detyrë të eksperimentonin. Tani, pasi gjërat kanë ndodhur, mund të themi se një masë e caktuar, apo një masë tjetër, ishte e gabuar. Por në momentin e marrë, ato ishin masa që u miratuan pothuajse nga të gjitha popullsitë.
Ajo që më bën përshtypje janë gjëra të tjera, që shpresoj të kenë tërhequr edhe vëmendjen tuaj. I pari element që më bën përshtypje, ka të bëjë me faktin se ky qytetar britanik, i zoti i pub-it për të cilin unë fola, ishte anëtar i Partisë Laburiste. Kishte votuar gjithë kohën për këtë parti. Dhe mbi këtë bazë, ai i njihte vetes të drejtën për t’iu hakërryer, për t’i folur me një ton fyes dhe poshtërues, kryetarit të partisë së tij. Në Britaninë e Madhe, kjo ndodh për një arsye shumë të thjeshtë: atje partitë janë të anëtarëve, të qytetarëve dhe jo të kryetarëve. Kryetarët zgjidhen për një kohë të caktuar me synimin për të përfaqësuar interesat dhe vizionin e njerëzve që i zgjedhin. Nuk është si në Shqipëri, ku kryetarët janë gjithçka, ku kryetarët mund të bëjnë çdo gjë dhe nuk ka ndodhur kurrë, kurrë deri më sot, që një anëtar partie të përballet, edhe fizikisht, me kryetarin e partisë, dhe t’i thotë minimalisht: “Të kesh turp!” Por këtu, kjo nuk ka ndodhur kurrë.
Gjëja e dytë që më bën përshtypje në këtë histori, është fakti që qytetari britanik, ishte një qytetar i informuar. Letrën të cilën e nxori përpara syve të kryetarit të Partisë Laburiste e kishte në xhep. Ai është një qytetar i dokumentuar. Është një qytetar që përditësohet vazhdimisht mbi të gjitha zhvillimet e natyrës politike, ekonomike, kulturore të jetës britanike. Dhe qytetarë të tillë, të informuar janë një garanci e mirë dhe e vazhdueshme mbi shëndetin e demokracisë. Vetëm qytetarë të tillë të informuar sigurojnë atë që anglezët e quajnë “accountability”, dhe që ne mund ta quanim “llogaridhënie”.
E treta gjë që më bëri përshtypje, ka qenë sjellja e përulur, elegante, delikate e kryetarit të Partisë Laburiste. Ai u soll me një përulësi që mua personalisht më emocionon. Dhe kjo përulësi, elegancë, delikatesë mund ta ketë burimin edhe te fakti që ai është një “Sir”. Ta kesh këtë titull nënkupton edhe bartjen e tipareve të tilla si: elegancën, delikatesën, finesën e Keir Starmer-it. Por unë kam përshtypjen që më shumë, kjo delikatesë e ka burimin te fakti se në Britaninë e Madhe ka një kulturë, logjikë të caktuar, ka disa praktika të caktuara në jetën politike që e imponojnë këtë sjellje. Sepse atje, në marrëdhënien midis qytetarëve nga njëra anë, dhe funksionarëve publikë nga ana tjetër, ruhet gjithmonë në konsideratë se këta të dytët, funksionarët publikë, nuk janë gjë tjerët veçse shërbëtorë të të parëve. Kjo është marrëdhënia që ekziston në Britaninë e Madhe, dhe kjo është arsyeja që një qytetar nuk e ka për gjë t’i hakërrehet një funksionari publik, madje edhe kryetarit të partisë së tij, por edhe vet kryeministrit. Kjo është edhe arsyeja që gjithë këta të fundit sillen me përulësi, me shumë edukatë përballë qytetarëve të zemëruar.
Sa larg jemi! Sa mijëra vite dritë larg jemi!



