Në fjalimin e saj të parë drejtuar qytetarëve si ushtruese e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, kërkoi unitet popullor, në kohën kur shteti po përballet me sfida.
“Vendi ynë po kalon ditë të vështira. Qytetarët e Kosovës duhet të dëshmojnë unitet e besnikëri ndaj projektit tonë të përbashkët, republikës sonë. Vendi ynë kaluar sfida të shumta gjatë historisë, përfshirë edhe luftën e fundit prandaj duhet të ushtrojmë me maturi përgjegjësitë institucionale e të forcojmë qëndrueshmërinë e shtetit, që bëhet i fortë edhe kur përballet me sfida duke i tejkaluar dinjitetshëm”, tha ajo.
Osmani u shpreh se veprimet e Gjykatës Speciale janë rrjedhojë e obligimeve që Kosova ka pranuar, me besim në drejtësi.
“Proceset që vijnë pas nuk do të dëmtojnë projektin tonë për liri, i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtarëve të ushtrisë sonë çlirimtare. Dua të shpreh vlerësimin të gjithë atyre që kanë treguar vendosmëri dhe besim në institucione e i janë përgjigjur ftesave të Speciales duke dëshmuar besim të palëkundur në drejtësi”, ka thënë ajo.
Duke iu referuar luftës së vitit 1999, Osmani ka përsëritur se agresori ishte Serbia e Kosova dhe shqiptarët ishin viktimë.



