
Ka përfunduar në Bruksel raundi i parë i takimit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili u mbajt me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Pas përfundimit të takimit i dërguari i posaçëm i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nisi takimet dypalëshe me dy liderët. Vlen për t’u theksuar fakti që në bisedime mori pjesë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Qëllimi i tryezës së sotme është që t’i zbusë tensionet aktuale Prishitnë-Beograd, si dhe të parandalojë shpërthimin e incidenteve të reja. Ndërsa çështja më e rëndësishme e bisedimeve konsiderohet nisja e negociatave drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve, për normalizim të marrëdhënieve mes tyre.
Më herët sot përmes një reagimi në Twitter Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, shprehet se pret nga dy liderët që të gjejnë gjuhën e përbashkët në Bruksel.
“Kam thirrur për këtë mëngjes takimin e dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël, për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Borrell.



