Seanca e Kuvendit sot/ Votohet projektrezoluta në mbështetje të Ukrainës

Seanca e Kuvendit sot/ Votohet projektrezoluta në mbështetje të Ukrainës

Kuvendi i Shqipërisë voton sot në seancë plenare projektrezolutën për mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane.

Në projektrezolutën e propozuar për miratim dënohet agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe shkelja e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar.

Njëkohësisht përmes saj nxitet dhe mbështetet veprimtaria diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis shteteve.

Përmes kësaj rezolute mbështeten sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.

Nga ana tjetër në projektrezolutë bëhet thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Më poshtë teksti i plotë i projektrezolutës për mbështetjen e sovranitetit dhe të tërësisë territorial të Ukrainës për mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane:

– Duke u bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit dhe
dokumentet e OSBE-së që e kanë pasuar atë, Memorandumin e Budapestit të vitit 1994
mbi Garancitë e Sigurisë lidhur me aderimin e Ukrainës në Traktatin e Mos-përhapjes së
Armëve Bërthamore, Marrëveshjet e Minskut të vitit 2014 dhe paketën e masave në zbatim
të tyre të nënshkruar në vitin 2015;

– Duke shprehur shqetësim te thellë për faktin se vlerat e bashkëjetesës paqësore mes
popujve, demokracia dhe të drejtat e njeriut, të promovuara në Evropë dhe në botë, pas
Luftës së dytë Botërore, janë cenuar rendë nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër
Ukrainës;

– Në mbështetje të sovranitetit, tërësisë territoriale dhe zhvillimit demokratik të Ukrainës;

– Në mbështetje të plotë qëndrimit të vendeve të tjera në të gjithë botën, që aspirojnë e
mbrojnë vlerat demokratike, në përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme e
të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë vendimet e Bashkimit Evropian për masa
shtrënguese;

– Në respekt dhe nën përgjegjësinë të rolit të Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit
të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023;

– Duke marrë në konsideratë rrezikun e ndikimit në rajonin tonë të agresionit rus në Ukrainë me pasojë demotivimin e perspektivës euroatlantike të rajonit për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë;

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

– Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e
Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon
rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të
Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e
Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka
firmosur me vullnet të lirë.

– Nxit dhe mbështet veprimtarinë diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në
bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të
Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis
shteteve.

– Mbështet sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra nga partnerët
strategjikë ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe
popullin e saj.

– Bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në
Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të
njohur ndërkombëtarisht.

– Dënon me forcë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, duke vlerësuar se aktet kundër
civilëve të pafajshëm janë krime lufte dhe se shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen
me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i kërkon Qeverisë që:

– Të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe
partnere në NATO, BE, KS të OKB, OSBE, KiE, në rajonin e Ballkanit dhe me partnerë
të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve
të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane;

-Të forcojë me prioritet përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit si mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Seanca e Kuvendit nis punimet prej orës 17:00.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy