Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS, ka vendosur sot që PD e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Relatori Koli Bele tha se vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe se KQZ duhet të regjistrojë PD e Alibeajt.
KAS i kërkon Alibeajt që në cilësinë e kryetarit të komanduar të bëjë deklaratën e angazhimit solemn, që do të mbajë nënshkrimin e tij.
Kujtojmë që më herët komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi vendosi mos regjistrimin e PD në zgjedhje, pasi mungonte firma e kryetarit "de jure" të partisë, Lulzim Basha.
Teksa lexoi vendimin, relatori Koli Bele u shpreh:
Ankuesi të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, zotin Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar; deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë, detyrimin e Komisionerit Shtetëror të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike, me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda pesë ditëve nga shpallja e tij.
Menjëherë pas vendimit reagoi Enkelejd Alibeaj, që e konsideroi atë një detyrimit ligjor, ndërsa shtoi se vonesa e shkaktuar nga Celibashi “është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve".
Në deklaratën e Alibeajt në rrjetet sociale thuhet:
Vendimi i sotëm i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vonesa gati dy javore për këtë proces, me autor kryekomisionerin Celibashi është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve nga zgjatimet e politikës së vjetër në institucionet e pavarura kushtetuese. Me këtë rast, edhe njëherë ftojmë të gjithë kandidatët demokratë, pa asnjë dallim të bashkohemi dhe të prezantohemi me një kandidat të PD në zgjedhjet lokale. Le të lemë mënjanë mëritë dhe mosmarrveshjet dhe le të bëjmë më të mirën e mundshme përballë regjimit të Edi Ramës”.
KAS vendos të regjistrojë subjektin zgjedhor “Partia Demokratike” me kryetar nënkryetarin, z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi dy kërkesat ankimore të depozituara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve:
1. Kërkesa ankimore nr. 32 e depozituar nga Partia Demokratike e Shqipërisë me objekt “Shfuqizimi i vendimit nr. 172, datë 14.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës së “Partia Demokratike”,për regjistrimin si subject zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14.05.2023” dhe regjistrimin si subjekt zgjedhor të Partisë Demokratike të Shqipërisë sipas kërkesës nr. 27, datë 05.03.2023 dhe dokumentacionit shoqërues të saj dhe të protokolluar në KQZ në datën 06.03.2023 me nr. 1337, të paraqitur në emër të PD nga përfaqësuesi z. Indrit Sefa;
2. Kërkesa ankimore nr. 33 e depozituar nga Partia Demokratike e Shqipërisë me objekt “Kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 172, datë 14.03.2023 dhe ndryshimin e vendimit duke vendosur regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë përfaqësuar nga kryetari Sali Berisha, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.
Në përfundim të shqyrtimit, KAS me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 33 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z. Ledio Nuraj dhe z. Franci Nuri.
KAS me shumicë votash vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr. 32 të ankuesit “Partia Demokratike”, përfaqësuar në seancë nga z. Indrit Sefa dhe detyrimin e partisë “Partia Demokratike”, të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë vijon:
1. Deklaratën sipas shkronjes “b” te pikës 2 te nenit 64 të Kodit Zgjedhor me të dhënat për nënkryetarin z. Enkelejd Alibeaj, në cilèsinë e kryetarit të komanduar të Partisë;
2. “Deklaratën e angazhimit solemn” të nënshkruar nga nënkryetari z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë;
si edhe ndryshimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe detyrimin e Komisionerit të regjistrojë subjektin zgjedhor “Partia Demokratike” me kryetar nënkryetarin, z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë.



