Sociologu Gëzim Tushi analizoi problematikat në shoqërinë shqiptare, një ditë pas krimit tronditës të ndodhur në Roskovec, ku një 61-vjeçar vrau bashkëjetuesen e të birit. Duke folur në MCN Live Tushi tha se familja në Shqipëri është kthyer në një “fole gjarpërinjsh”, martesa në institucion pa përgjegjësi, dhe institucionet e edukimit janë mizerabël.
Nuk është ngjarje e papritur, krimi në Shqipëri është bërë si bukë e përditshme. Viktimat kryesore janë gratë, dhe pjesa më e madhe kryhet në familje, një paradoks. Ky është një kancer, një infeksion i zgjeruar në shoqërinë shqiptare. Ka probleme të bashkëjetesës, institucionin e martesës e kemi kthyer në një institucion pa përgjegjësi. E keqja e shoqërisë shqiptare është që nuk dimë t’i zgjidhim konfliktet në mënyrë humane. Kjo mënyrë mesjetare e sjelljes me gratë është vërtet shqetësuese. Kjo ngjarje nuk duhet të kalojë kështu. Ne duhet të kuptojmë që intensiteti i krimit në vendin tonë, është përtej ballkanizimit. Politika, shteti, të gjithë t’i kthejnë sytë çfarë duhet të bëhet për krimin, e para që ka të bëjë me institucionet e edukimit. Në këto institucione punohet pak në krijimin e meshkujve të ardhshëm, që s’duhet ta mendojnë femrën si makinë riprodhuese apo si pronë.
Tushi u shpreh se shoqëria civile duhet të jetë e pranishme në këto zona, shkolla duhet të punojë në edukim dhe të futet koncepti i policisë komunitare.
Ka qenë tronditëse qetësia olimpike e bashkëshortes së autorit, me një fshesë në dorë duke larë gjakun. Sikur edhe dy pula t’i kishin ngordhur shqetësimi i saj do ishte i lexueshëm. Pa pikë empatie! Ky neutralitet jo human i marrëdhënieve midis njerëzve është shqetësues. Fakti që kemi numër të lartë divorcesh e tregon këtë gjë. Familja është kthyer në 'fole gjarpërinjsh', duhen marrë masa. Në shoqërinë shqiptare po kultivohet indiferentizëm ndaj krimit. Nëse vazhdon kjo indiferencë aksi i kriminalitetit do të rritet. 80-90 për qind e krimeve ndaj grave ndodhin në familje. Institucionet e edukimit janë mizerabël, qoftë shkolla, qoftë feja, shoqëria civile dhe media. Edhe gratë politikane janë indiferente, shikojnë interesin personal të parasë dhe pasurisë. Shoqëria civile duhet të jetë e pranishme në këto zona. Për të grirë sallatë sociologjike nga Tirana s’ka asnjë vlerë. Është e nevojshme të punojë shkolla më shumë në këto drejtime. Shumë po flitet për policinë komunitare, kemi vite që dëgjojmë dërdëllitje pa fund, por nuk funksionon. Policia s’është vetëm për të kapur kriminel. Duhet të intervenojë dhe të vërë në lëvizje strukturat për ta parandaluar. Pastaj është dënimi. Nuk vërtetohet që me dënim me vdekje ulet krimi”.



