85 lekë për çdo votë do të marrin partitë politike që morën pjesë në zgjedhjet e 25 prillit dhe kaluan pragun për t’u përfaqësuar në Kuvend me deputetë.
Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor kanë dyfishuar fondin e dedikuar për financimin e partive politike nga buxheti i shtetit, për çdo votë të siguruar, por duke përjashtuar nga ky financim partitë të cilat nuk e kanë kaluar dot pragun e 1%.
Pika 4 e Nenit 180, parashikon se fondi nga Buxheti i Shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e 2021-shit është 2 herë më i madh se fondi i alokuar për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Pra, nga 65 milonë lekë në zgjedhjet e 2017-ës, në 130 milionë për zgjedhjet e 2021-shit
Por, cila do të jetë vlera që do të përfitojnë partitë në bazë të numrit të votave që kanë siguruar? Formula që do të ndiqet do të jetë duke shumëzuar çdo votë të subjekteve zgjedhore me 85 lekë
Partia Socialiste, si partia që ka arritur të sigurojë më shumë vota, do të jetë ajo e cila do të marrë edhe pjesën më të madhe të parave që Komisioni Qëndror I zgjedhjeve do të shpërndajë.
Nga totali i 130 milionë lekëve, mbi 65 milionë të tilla, i takojnë socialistëve.
Ndërsa Partia Demokratike, për 622.187 votat e siguruara do të përfitojë rreth 53 milionë lekë të fondit të dedikuar.
Lëvizja Socialiste për Integim do të financohet me vetëm 9 milionë lekë, kjo pasi votat e siguruara ishin 107.538.
3 milionë lekë për Partinë Social Demokrate të Tom Doshit, e cila doli nga zgjedhjet e 25 prillit me 35,475 vota.
Por përveç të drejtës për t’u financuar, neni 23 i ligjit “për partitë politike”, detyron këto subjekte të dorëzojnë një herë në vit, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve raportet financiare.
Ky raport duhet të dorëzohet brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.
Por nga 131 parti politike, vetëm 21 të tilla kanë dorëzuar brenda afatit raportet financiare të 2020-ës, 4 parti e kanë dorëzuar pas 31 marsit, ndërsa 106 parti kanë refuzuar të bëjnë transparencë për burimet e financimit.
11 prej të cilave pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 prillit. Këto jane parti të drejtuara nga Astrit Patozi, Agron duka, Dashamir Shehi dhe Myslim Murrizi.
Nisur nga këto shkelje dhe bazuar në nenin 19, të ligjit për partitë politike, Komisionit Qendor të Zgjedhjeve i lind e drejta të sanksionojë me gjobë nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë për 106 partitë të cilat nuk e kanë përmbushur këtë detyrim, dhe gjobë në masën 50 000 deri në 100 000 lekë për 4 (katër) partitë politike që e kanë dorëzuar raportin vjetor financiar 2020 jashtë afatit të përcaktuar.



