Zejnaj: Ka informacione për një sulm nga grupet serbe në Kosovë dy ditë para zgjedhjeve. Urgjente kërkesa për anëtarësim në NATO

Zejnaj: Ka informacione për një sulm nga grupet serbe në Kosovë dy ditë para zgjedhjeve. Urgjente kërkesa për anëtarësim në NATO

Politologu Argjend Zejnaj tha në MCN Live se ka informacione se grupet paramilitare serbe do të kryejnë në Kosovë një sulm të ngjashëm me atë të Banjskës, dy ditë para zgjedhjeve të 17 dhjetorit që do të mbahen në Serbi.

Zenjaj vuri në dukje se paramilitare serbe s’janë shpërbërë, drejtuesit e tyre nuk janë dorëzuar te autoritetet e Kosovës dhe ata po mbajnë gjallë fushatën zgjedhore. Sipas politologut, më 15 dhjetor mund të kryhet një sulm me qëllim që të rritet në kulm nacionalizmi i djathtë, dhe të shtohen vota për Vuçiçin. 

Zejnaj tha se një pjesë e armatimit të blerë së fundmi nga Serbia mund të shkojë pikërisht për grupet paramilitare në Kosovë. 

Vuçiç ka qenë në vazhdimësi kërcënues ndaj Kosovës, edhe kur s’ka pasur zgjedhje. Rezultati ka qenë minimal në aspektin praktik. Tendencat për t’u shfaqur si nacionalist, kur i është dashur për të arritur diçka në raport me dialogun Kosovë-Serbi, e ka shfaqur vazhdimisht. Ai ka treguar se mund të jetë i ashpër edhe në praktikë, siç ka ndodhur me sulmin e 24 shtatorit, me grupe paramilitare, me njerëz që i ka nën sqetull si Radojiçiç. Për deklaratat e fundit, për të treguar që është shumë serioz në ato që ai thotë, javën e kaluar ka blerë nga Qipro dhe Spanja 320 milionë dollarë armatim, helikopterë dhe aeroplanë ushtarakë. Këto bëhen edhe për të rritur nacionalizmin elektoral, por edhe për të lëshuar sinjale ndaj Kosovës, që unë në një moment mund ta kem seriozisht që nuk toleroj që ta humb Kosovën për asnjë moment. Mos harrojmë që është në koalicion me partinë e Sheshelit, ku kandidatët për deputetë të kësaj partie thonë se ne po përgatitemi që t’i bëhemi pjesë e bllokut Rusi, Kinë, Indi, dhe të mos mbetemi peng e BE-së, që shtyn të njohim Kosovën si shtet të pavarur. Exit poll-et e fundit s’e nxjerrin mirë Vuçiçin, sidomos në zgjedhjet lokale, ku është në rrezik të humbasë gjysmën e komunave që ka udhëhequr deri tani. Në aspektin ndërkombëtar Vuçiç gjithmonë ka tentuar të tregojë që s’është 100 për qind i varur nga BE dhe miqësia me SHBA. Kur kemi parasysh që vendet nga të cilat po furnizohet me armatim, janë dy vende mos njohëse, një nga shtetet kryesore të BE, siç është Spanja, e furnizon me armatim Serbinë, që herë pas here e kërcënon Kosovën me invazion të pjesës veriore. Grupet paramilitare serbe që i patëm më 24 shtator s’janë shpërbërë, nuk janë dorëzuar udhëheqësit e tyre te autoritetet e Kosovës, ata po mbajnë fushatën, bashkë me një mori zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të Listës Srpska. Vuçiç është kërcënuesi më i madh i rajonit dhe nga ana tjetër është më i përkëdheluri qoftë nga NATO, qoftë nga BE. Ky ka kërkuar leje që të jetë pak më i ashpër sepse është fushatë zgjedhore. Vuçiç po punon në dy drejtime, edhe duke e furnizuar shtetin e vet me armatim, edhe duke tentuar të fitojë zgjedhjet. Për BE-në kjo është në rregull, për Kosovën s’është shenjë e mirë. Serbia e ka keqpërdorur gjithmonë pauzën më të vogël nga mbikëqyrja e BE dhe SHBA, për të futur hundët në Veriun e Kosovës”.


Zejnaj e konsideroi si urgjente nevojën që Kosova të bëjë kërkesë për anëtarësim në NATO. 

I pyetur si po menaxhohet situata nga qeveria e Kosovës, dhe zhvillimet politike në vend, Zenjaj shtoi: 

Ne duhet t’i japim një epilog sa më të shpejt këtij dialogu. Sot për sot kemi sanksione prej BE-së dhe miqve amerikanë. Kemi të bllokuara të gjitha projektet që kanë të bëjnë me Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim. Kemi ministrinë e Jashtme më jo funksionale që ka qenë ndonjëherë. Kurti s’është në gjendje të takojë një prej liderëve të rëndësishëm rajonale dhe ndërkombëtare, me të cilin mund t’i bënte presion Serbisë që në radhë të parë të dorëzonte Radojiçiçin dhe ta niste situatën prej aty. Kurti është duke u marrë me festat e fundvitit dhe jo duke u përgatitur për çka do ndodhë pas zgjedhjeve në Serbi. Ne e kemi në derë të shtëpisë Asociacionin. 
Të gjithë po i thonë Kurtit që pa na dhënë përgjigjen përfundimtare se çfarë je duke bërë me Asociacionin ne s’mund të vazhdojmë më tutje. Sot e kemi nevojë urgjente që të bëjmë kërkesë për anëtarësim në NATO. Sulmi i 24 shtatorit tregoi se KFOR-i megjithatë nuk është shumë i vëmendshëm. KFOR-it i intereson vetëm të mos ketë invazion klasik. Por kush merret me grupet ilegale që po trajnohen në Serbi? Ato financohen nga Rusia përmes qendrës humanitare në Nish. Një pjesë janë anëtarë të Wagner-it, që janë trajnuar për të marrë pjesë në luftën Rusi-Ukrainë. Sot as policinë s’e kemi funksionale. Janë në mungesë të automjeteve, në mungesë të pajisjeve ushtarake. Është e pamundur që Policia të mbulojë të gjithë këtë vijë kufitare me Serbinë. Pozita dhe opozita duhet të bëhen bashkë që t’i japin epilogun dialogut. Ka informata që grupet që suportohen prej Serbisë, që mund të bëjnë diçka e ngjashme me 24 shtatorit, dy ditë para zgjedhjeve, më 15 dhjetor, pritet diçka e ngjashme, qoftë ndaj policëve kufitarë, ose brenda pjesës veriore të Mitrovicës. Kjo për të rritur në kulm nacionalizmin e elektoratit të djathtë, që të marrë vota sa më shumë Vuçiçi. Informata qarkullojnë, dhe kur shohim që edhe Vuçiçi po furnizohet me armatim, nëse ai armatim nuk përdoret në rrugë zyrtare, do përdoret nga grupet paramilitare”. 
 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy