Kryetari i degës së PD Fier, Luan Baçi, ka folur mbi procesin zgjedhor në Roskovec, duke u shprehur se dy kandidatët e rinj kanë mbështetjen e demokratëve. Në intervistën në MCN Live Baçi tha se Alibeaj është përpjekur të ndikojë te individë të caktuar që mos marrin pjesë në proces, por nuk mundet t’i deligjitimojë zgjedhjet brenda demokratëve.
Kandidojnë dy djem të rinj që janë propozuar nga anëtarësia, nga strukturat në Roskovec, Emeis Xhaxhaj dhe Kevin Cjapi. Kanë mbështetjen e demokratëve. Nuk ka palë te PD-ja, sidomos pas zgjedhjeve të 6 marsit. Nëse ka deputetë të veçantë që kontestojnë procesin zgjedhor është tjetër gjë. Alibeaj ka një mision bashkë me Bashën dhe vazhdon me linjën e vet, pavarësisht se ka një fakt në bazë. Unë e ftoj Alibeajn të monitorojë procesin. Dakordësinë e japin demokratët, jo deputetët. Demokratët janë të bashkuar në përqindje të lartë. Alibeaj mundohej të kishte një dakordësi të dakordësuar me veten e vet. Ndikimi i Alibeajt dhe disa deputetëve të tjerë nuk është dashamiras. Nga njëra anë flasin për bashkim, nga ana tjetër ndikojnë që disa individë që mos marrin pjesë në proces. E kam humbur shpresën që z.Basha të bashkohet. Ka lënë Alibeajn që të vazhdojë politikën dhe orientimin e tij”.
Ai theksoi se PD-ja nuk është grupi parlamentar, por anëtarësia, strukturat, si dhe Kuvendi Kombëtar i kësaj partie.
Baçi i bëri thirrje Lulzim Bashës që të lirojë zyrat e PD-së në rrethe, duke u shprehur se ka ende persona të paautorizuar që mbajnë çelësa.



