Nicolas Maduro rikonfirmohet president i Venezuelës. Këshilli Kombëtar Zgjedhor njoftoi se, me 80% të votave të numëruara, presidenti mori 5,150,092 vota, ose 51.2%, ndërsa kundërshtari i tij, Edmundo Gonzalez Urrutia 4,445,978, ose 44,02%”, me një pjesëmarrje prej 59% në votime.
Por opozita denoncon parregullsitë dhe pretendon se ka fituar me 70%, ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken shprehu dyshime për ecurinë e konsultimit zgjedhor.

“Ata nuk ia dolën me sanksione, me agresion, me kërcënime. Nuk ia dolën tani dhe nuk do t’ia dalin kurrë me dinjitetin e popullit të Venezuelës. Fashizmi në Venezuelë, në tokën e Bolivarit dhe Chavezit, nuk do të kalojë”, ishin fjalët e para të Maduros, i cili festoi me mijëra mbështetës që u mblodhën para Pallatit Miraflores.
“Chavez jeton Chavez, ky triumf është i yti”, shtoi më pas, duke kujtuar se të dielën, në ditën e zgjedhjeve, ishte ditëlindja e tij e shtatëdhjetë.



