
Disa vende të BE po diskutojnë ngritjen e një kampi për azilkërkuesit e refuzuar në një vend në kontinent, por jashtë Bashkimit Europian, thanë të martën dy krerë kombëtarë.
Gjermania, Hollanda dhe Austria ishin midis atyre të përfshirë në diskutime, tha kryeministri danez Lars Lokke Rasmussen për mediat lokale, duke shtuar se ai shpresonte se një projekt pilot mund të hapë rrugën për një sistem të përmirësuar të azilit.
"Jam optimist. Bazuar në diskutimet e mia me krerët e tjerë evropianë - dhe dialogu që po ndodh në nivel zyrtar, unë shpresoj që do të jemi në gjendje të ndërmarrim hapin e parë këtë vit", tha ai veçmas në një fjalim që shënonte ditën e Kushtetutës së Danimarkës, raporton Reuters.
Duke folur në Bruksel, kancelari austriak Sebastian Kurz konfirmoi planet, duke thënë se bisedimet tashmë kishin arritur një fazë të përparuar.
"Ne kemi sugjeruar shumë kohë më parë se do të kishte kuptim për të ofruar mbrojtje jashtë Bashkimit Evropian, ku (emigrantët) marrin mbrojtje aty ku është e nevojshme, por nuk kanë mundësi të zgjedhin sistemin më të mirë në Evropë", tha Kurz.
Të dy Rasmussen dhe Kurz thanë se bisedimet po mbaheshin drejtpërdrejt mes qeverive evropiane dhe jo brenda kuadrit të BE.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se ai nuk ishte menjëherë kundër një nisme të tillë.
"Unë besoj se mbrojtja kundër emigracionit të paligjshëm është çështje evropiane dhe kombëtare. Nuk më takon të jem kundër kësaj", tha ai në një konferencë të përbashkët shtypi me Kurzin, përpara se Austria të merrte presidencën e radhës së BE.
Marrja e azilkërkuesve nga Danimarka ka rënë në mbi 1 000 në katër muajt e parë të këtij viti, nga një kulm prej më shumë se 21 000 në vitin 2015.
Krahasuar me fqinjët e saj Suedi dhe Gjermani, Danimarka në përgjithësi u ka dhënë më pak njerëzve azil si pjesë e popullsisë së saj.
Rasmusen nuk pranoi të komentonte se cilat vende mund të mbanin një kamp të tillë, megjithëse ai tha se do të ishte në një vend që nuk ishte "veçanërisht tërheqës" për trafikantët.



