Ish-kryeministri Pandeli Majko komenton vizitën e Ramës në Beograd dhe debatin që pasoi lidhur me raportet Kosovë-Shqipëri. Në një intevistë për “Kosovapress”, Majko shprehet se Kosova dhe Shqipëria janë si dy vëllezër dhe nuk kanë gardh për të ndarë, por kanë secili shtëpitë e veta. “Duhet bërë një mësim për ata që do të vijnë më pas. Ka një mënyrë të pamësuari edhe për një pjesë të elitës politike në Shqipëri që e mendon ende Kosovën edhe shtet, edhe joshtet. Kosova është shtet, ka një elitë shtetërore e cila duhet respektuar nga fillimi deri në fund, sikurse respekton një shtet të cilin nuk e ke fqinj, pavarësisht që jemi vëllezër, flasim të njëjtën gjuhë, kemi të njëjtën histori, ne duhet të arrijmë ta kuptojmë se kjo është historia e dy vëllezërve që kanë shtëpi më vete, sigurisht që nuk kanë gardh për të ndarë, por janë disa detaje që ne duhet të jemi të kujdesshëm, qoftë Kosova me Shqipërinë, por sidomos Shqipërisë i takon pak më shumë me Kosovën”, tha Majko.
Megjithatë Majko ka theksuar se, nëse preket sovranitetit i Kosovës, Shqipëria implikohet në konflikt me cilindo.
“Ne mund të mos jemi lojtarë globalë, por ne mbetemi vendi i cili nëse preket sovraniteti i Republikës së Kosovës, Shqipëria hyn dhe implikohet automatikisht në konflikt me cilindo. Duke pasur parasysh këtë, pavarësisht që kjo nuk është shkruar ende në asnjë dokument, pavarësisht se Shqipëria dhe Kosova të vetmen punë të përbashkët të dukshme kanë abetaren e klasës së parë. Nisur nga kjo, ne jemi ende duke krijuar një gramatikë të re, një fjalor të ri, i cili ka brenda një fakt që është krejtësisht i logjikshëm, ekzistenca e një elite shtetërore në Kosovë dhe nuk është një elitë dosido. Janë politikanë të cilët kanë shkruar historinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit, janë njerëz të cilët dje kanë luftuar dhe sot janë në politikë, janë nga ata politikanë që vendet e tjera do të donin që t’i kishin pjesë të politikës së tyre për mënyrën se si ata i artikulojnë dhe se si ata kanë provuar shumë gjëra, që shumë politikanë qoftë në Perëndim, apo në Lindje, vetëm flasin”, thotë Majko.



