Një automjet është qëlluar me breshëri plumbash nga një tjetër mjet që ishte në lëvizje. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ndërsa Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes duke ngritur pika kontrolli në gjithë qytetin.
Sipas burimeve, mjeti është gjetur në afërsi të stadiumit Elbasan, i ndaluar dhe pa drejtues në brendësi dhe një gëzhojë në tokë.
Ndërkohë, burimet thonë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një sherri me armë në lagjen “Emin Matraxhiu”.
Nga hetimet paraprake, mësohet se objektivi i atentatit ka qenë Ervis Çausholli, i cili ka mundur t’i shpëtojë plumbave.
Çausholli, i njohur ndryshe edhe si “korçari”, është një emër mjaft i njohur për policinë në Elbasan, pasi rezulton të jetë i përfshirë në disa ngjarje të tjera kriminale në qytet.
Çausholli u padit në shkurt të këtij viti nga një qytetar për dhunë pasi e ndaloi me makinë duke tentuar ta nxjerrë prej saj, ndërkohë që e goditi edhe me grushte.
Ngjarja ndodhi në mes të qytetit të Elbasanit dhe u regjistrua nga disa kamera sigurie. Më pas, personi i dhunuar shkoi në polici për të bërë denoncimin. Pas denoncimit, ai deklaroi për mediat se ishte kërcënuar nga një tjetër person, i afërt i Çaushollit për ta tërhequr ç’ka kishte thënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Njoftimi i plotë i policisë
Rreth orës 11:50 , në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, dyshohet se gjatë një konflikti është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjetit. Autori i dyshuar ka braktisur mjetin dhe është larguar. Deri në këto momente nuk ka asnjë njoftim as nga spitali dhe as nga qytetarët për ndonjë person të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Shërbimet e Policisë po krehin zonën në të cilën dyshohet se mund të jetë fshehur autori që ka qëlluar me armë zjarri.



