
Protestat e së djelës në Selanik dhe Athinë, kundër marrëveshjes me Maqedoninë kanë degraduar në përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë. Kjo e fundit raporton se ka arrestuar disa persona, ndërsa ka patur edhe të lënduar mes protestesve.
Incidentet e ashpra janë shënuar kryesisht në Athinë para ndërtesës së Parlamentit grek. Një pjesë e protestuesve të maskuar sulmonin forcat e policisë duke i goditur me mjete të forta, shishe plastike dhe materiale piroteknike.
Forcat e policisë nisën përdorimin e gazit lotsjellës për të shpërndarë dhe për të larguar turmën e acaruar. Mes protestuesve kishte dhe përfaqësues politikë, mbështetës të Agimit të Artë dhe përfaqësues klerikë.
Ndërkohë që protestuesit e maskuar nuk kursyen gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, duke i sulmuar ku u kërkonin të largoheshin nga vendin ku ndodhën incidentet dhe nuk lejuan të xhirohet ose të fotografohet. Pak para mesnate, policia arriti ta zbrazte sheshin para Parlamentit grek, ndërsa protesta të ngjashme pati edhe në Selanik, të cilat do të vijojnë edhe sot.



