Debatet për tarifat tregtare po thellojnë përplasjet brenda administratës së presidentit Donald Trump, duke përfshirë edhe figura të njohura si Elon Musk.
Kreu i kompanisë Tesla ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të këshilltarit të lartë tregtar të Trump, Peter Navarro, të cilin e ka quajtur "budalla" dhe "të trashë".
Përplasja mes Elon Musk dhe Peter Navarro erdhi pas një interviste të këtij të fundit në CNBC, ku ai deklaroi se Musk “nuk është prodhues makinash, por vetëm montues”.
Navarro kritikoi Tesla-n duke thënë se pjesët kryesore të makinave, si bateritë vijnë nga Japonia, Kina dhe Tajvani, duke sugjeruar se Musk nuk ndjek një filozofi të prodhimit kombëtar.
“Elon nuk e kupton që ne duam që gomat të prodhohen në Akron, transmisionet në Indianapolis, motorët në Flint dhe Saginaë dhe makinat të prodhohen këtu në Amerikë”, u shpreh Navarro.
Musk reagoi menjëherë në rrjetet sociale, duke kundërshtuar ashpër deklaratat e Navarro-s:
Ajo që thotë është demonstrueshmërisht e pavërtetë. Materialet që përdoren për makinat Tesla prodhohen në SHBA. Navarro është budalla.
Kjo përplasje është një tjetër shenjë e tensioneve të brendshme në kampin republikan, teksa Presidenti Trump këmbëngul në politikat e tij për vendosjen e tarifave.
Edhe figura të tjera të afërta me Trump, si miliarderi Bill Ackman, themeluesi i Barstool Sports Dave Portnoy dhe podkasteri i njohur Joe Rogan, kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm ekonomik që mund të sjellin këto masa, duke paralajmëruar një “dimër ekonomik bërthamor”.



