Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me aksionin e Policisë në të cilin u zbuluan armë dhe municione pas kontrolleve të ushtruara në veri të vendit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale Sveçla shkruan se zbulimi i këtyre armativeve bën më të qartë për Kosovën dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.
Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë.
Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë.
Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.
Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës.



