Në ditën e fundit në drejtimin e SPAK, zoti Altin Dumani ka kërkuar nga vartësit dhe ka ndjekur hap pas hapi finalizimin e operacionit “AKSHI”.
48 orë nga lënia e postit të drejtuesit z.Altin Dumani si kreu i SPAK ndoqi nga pranë hetimet dhe operacionin për dosjen “AKSHI”.
Emisioni “FactCheck” mëson se ky hetim i prokurorit Bledar Maksuti ka patur vëmendjen e Dumanit për ta çuar përpara e po ashtu ta suportonte me çdo veprim edhe të byrosë kombëtare të hetimit apo ekzekutimin e masave në terren.
Edhe pse se tha me emër konkret Dumani në një takim offrecoder me gazetarët më datë 15 dhjetor paralajmëroi se ditët e tij të fundit në zyrë nuk do të ishin pushim apo një ulje ritmi për SPAK.
Por çfarë është dosja AKSHI dhe çfarë thotë SPAK në njoftimin zyrtar?
Prokuroria Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025, ndaj tetë shtetasve nën hetim për vepra penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
Masë sigurimi është kërkuar edhe për administratorë të disa kompanive të cilët, me veprime të kundërligjshme në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive që nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.
Në këtë kuadër, Prokuroria Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 15.12.2025, paraqiti kërkesën në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për caktimin e masës së sigurimit ndaj tetë (8) shtetasve nën hetim. Sot, më 16.12.2025, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ekzekutuar vendimin e gjykatës për disa nga shtetasit e mëposhtëm:
-Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në burg”, ndaj shtetasit në hetim Ergys (pa ekzekutuar)
-Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në burg”, ndaj shtetasit nën hetim Ermal Beqiri (pa ekzekutuar)
-Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetases nën hetim Mirlinda Karcanaj, drejtuese e AKSHI
-Caktimin e masës së sigurimit, “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetases nën hetim Hava Delibashin, zv.drejtuese e AKSHI
-Caktimin e masës së sigurimit, “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim Erion Ismailin, z.drejtues Policia Tirane
-Caktimin e masës së sigurimit, “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim Andis Papën, biznesmen
-Caktimin e masës së sigurimit, “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim Gëzim Hoxhën, biznesmen
-Caktimin e masës së sigurimit personal, “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, ndaj shtetasit nën hetim Rogers Rrytën, biznesmen
Hetimet vijojnë për zbulimin e fakteve të tjera penale dhe identifikimin e subjekteve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme.



