Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri pasditën e sotme një pasqyrim të gjendjes reale të zjarreve aktive në vend.
Peleshi deklaroi se “pas një pune të palodhur të forcave në terren dhe nga ajri, në kooordinim me Agjencinë e Mbrojtjes Civile zjarri në fshatin Dukat i Ri, nuk paraqet aktualisht rrezikshmëri në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë”.
Ministri publikoi edhe pamje gjate operacionit të efektivëve të FA-së dhe zjarrfikësve për shuarjen e zjarrit në fshatin Dukat i Ri.
Gjithashtu, Peleshi deklaron se “pa rrezik për banesat janë edhe vatrat në fshatin Thirrë, në Munellë-Domgjon të Mirditës. Po vijon puna për mbajtjen nën kontroll të zjarrit mbi tunelin e Kalimashit”.
Ai thekson se është izoluar në pjesën më të madhe edhe zjarri në masivin me pisha në Krushovë të Voskopojës
“U arrit të izolohej në kohë të shpejtë zjarri në malin e Tomorrit dhe po monitorohen disa vatra në fshatin Corrush në Mallakastër, në fshatin Bogë në qarkun e Shkodrës. Një vatër zjarri e re është njoftuar në vendin e quajtur Qafa e Tërkuzit në pjesën e Republikës te Malit të Zi, në afërsi të kufirit me Shqipërinë, ku në ndjekje të situatës kanë shkuar menjëherë forcat zjarrfikëse të Kukësit”, deklaron ministri Peleshi.



