Pas dakordësisë së arritur 5 muaj më parë, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia po punojnë për ta konkretizuar në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Ministritë e Mbrojtjes nga Kosova dhe Shqipëria konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupe të ekspertëve po punojnë për planin e zbatimit të deklaratës, dhe ka interes për blerjen e armëve nga SHBA.
Nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë tha në shtator të këtij viti do t’u paraqitet për miratim ministrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë udhëzuesi i cili është drejt finalizimit.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, thotë se më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues “për ta zbërthyer planin në nivel operacional”.
“Për shembull një sistem armësh që jemi të interesuar të tri shtetet ta blejmë nga SHBA-ja, ta bëjmë porosinë si një blerje, duke shfrytëzuar legjislaturën e secilit vend, por që sasia dhe koha e liferimit të determinohet si e përbashkët, sepse prej SHBA-së kur blen më shumë, kushtojnë më lirë dhe vijnë më shpejt”, thotë Maqedonci për Radion Evropa e Lirë.
Në deklaratën që u nënshkrua nga ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiç, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.



