U prit sot me protestë rizgjedhja në krye të Komitetit Mysliman të Shqipërisë të Bujar Spahiut. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Justinian Topulli, ish-kryetar i Lidhjes së Hoxhallarëve tha që zgjedhjet janë ilegjitime, pasi këshilli i përgjithshëm i KMSH-së që përcaktoi fituesin, nuk është zgjedhur në mënyrë të rregullt. Ai akuzoi gylenistët se po penetrojnë në Shqipëri me të njëjtën metodë që kanë ndjekur në Turqi, duke i konsideruar ata si “organizatë politike, por që nuk ndjekin rrugën politike”. Topulli tha se protestat do vazhdojnë, duke shtuar se shteti duhet të ndërhyjë për të ndaluar manipulimet, pa ndërhyrë detyrimisht në punët e KMSH-së.
Zgjedhja e kryetarit të KMSH funksionon në bazë të statutit dhe procedurave. Në fillim formohet këshilli i përgjithshëm i KMSH, nëse mund ta quajmë Parlamenti i KMSH, dhe janë ata që zgjedhin me votë të fshehtë kreun e KMSH. Duke ditur si është formuar dhe është ‘zgjedhur’ ky këshill, është e qartë se çfarë bazohet mbi legjitimitet është ilegjitime. Ai këshill s’është zgjedhur në mënyrë të rregullt, është moralisht ilegjitim, atëherë edhe kryetari është ilegjitim. Rezultati e tregoi këtë provë, që nëse Bujar Spahiu para 5 vitesh mori 59 vota, kësaj here mori 82 veta, që tregon se këshilli i përgjithshëm kontrollohet akoma më shumë nga ç’kontrollohej më parë. Një nga kandidatët ka kandiduar vetë, kurse kandidati tjetër besoj se është vënë prej tyre. Por do votohej ai që ata kishin përcaktuar, pra ishte diçka e mbyllur. Po edhe të mos ishte Bujari përsëri do ishte një njeri i tyre, nuk do ishte një kandidat sfidues.
Fillimisht Gylenistët kanë hapur Medresenë e Cërrikut. Kanë hapur kolegjet e para turke nga Mehmet Akif Ersoj, duke qenë se ata kanë qenë pjesë e strukturave të shtetit turk dhe kamufloheshin pas ministrisë së Arsimit. Morën Medresenë të Tiranën, Beratit që më pas u mbyll, të Gjirokastrës që më pas u mbyll, dhe Korçës. U infiltruan në disa sektorë në media, Dialogu Ndërfetar, duke përdorur edhe kryetarin që ka qenë më para, arritën të penetronin pa u ndjerë, të njëjtën metodë që kanë përdorur në Turqi. Ata janë një organizatë politike, por që nuk ndjekin rrugën politike.
Zgjidhja e kryetarit ishte një farsë, një show. Kryetari ishte qershia mbi tortë i këtij show-t. Kemi denoncuar shkeljet, manipulimet, kemi ndjekur edhe procedurat. Para se të niste procesi zgjedhor kemi bërë një peticion me firmën e 200 imamëve që ia kemi përcjellë Komunitetit të Kulteve, që të zbatohej statuti, dhe demokracia e brendshme të funksionojë në mënyrë legjitime. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje, e vetmja përgjigje ka qenë që shteti nuk përfshihet në këtë.Protesta jonë ishte më tepër një reagim moral, për të hequr barrën apo obligimin moral. Ajo që thamë doli. Përpjekja jonë kryesore dhe më e madhe ka qenë ajo e ndërgjegjësimit të njerëzve. Por një pjesë e njerëzve, apo besimtarëve, shpesh herë janë indiferentë. Një pjesë e hoxhallarëve janë të ndërgjegjshëm, por kanë frikë, kanë frikë rrogën dhe vendin e punës. Në kërkojmë edhe një vullnet politik, jo që shteti të ndërhyjë në punët e KMSH-së, por të ndalojë manipulimet, sepse ne s’kemi forcë për t’i ndaluar.
Unë s’kam lidhje me politikën e Erdoganit. Ne s’duam të jemi vasal të askujt, as të Amerikës, as Arabisë, as Turqisë, askujt, duam të jemi të pavarur. Zërat që jemi vasalë të Erdoganit s’kanë asnjë lloj bazamenti. Ne kemi dalë në protesta edhe kur Erdogani me Gylenin s’ishin armiq. Këto janë akuza të pabaza.Ne kemi tentuar ta gjejmë gjuhën e dialogut me KMSH-në. Kam tentuar disa herë me ish-kryetarin. Na është premtuar ndryshim, dialog, dhe e kemi përmbajtur veten duke shpresuar se një ditë kjo do të vinte. Derisa na është thënë që kjo që kërkoni nuk bëhet, dhe s’na kanë lënë rrugë tjetër veçse të dalim në protestë. Xhamia e Namazgjasë, pritja është e qartë, shteti turk duke i konsideruar drejtuesit e KMSH si zgjatim të FETO-s, ata thonë që s’mund t’ia dorëzojmë xhaminë ndjekësve të organizatës terroriste. Si do zgjidhet, unë s’e di. Jashtë juridiksionit të KMSH janë pak xhami. Ka rreth 900 xhami në gjithë Shqipërinë, ka rreth 200 xhami që nuk hapen. Edhe xhamitë që administron KMSH-ja s’ka kontroll të plotë mbi to”.



