
Shtëpi të rrënuara, ura të shembura dhe zona të tëra të përmbytura. Kjo është pamja nga ajri e ishullit indonezian Sulauezi, i cili u godit të premten nga një tërmet 7.5 ballë, që u pasua edhe nga një cunami. Më shumë se 800 veta vdiqën, numër ky që sipas autoriteteve është i destinuar të rritet.
Dallgët e cunamit mbi 6 metra morën përpara çfarë gjetën. Pamjet e mëposhtme i përkasin qytetit bregdetar Palu në qendër të provincës Sulauezi. Mes ndërtesave të përmbytura është edhe xhamia e qytetit.
Indonezia shtrihet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik. Vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë u godit në vitin 2004 nga një tërmet shkatërrues me magnitudë 9.1 ballë. Lëkundjet u pasuan nga një cunami me dallgë që i kalonin 30 metër, çka la pas mbi 228 mijë të vdekur.



