
Denis Dyrnjaja
Java që lamë pas u shënjua nga dy ngjarje që pasuan njëra-tjetrën. E para ndodhia e vjedhjes së një shume prej rreth gjysmë milioni euro nga një pastruese shtëpish dhe i dyti arrestimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, z Arlind Gjokutaj, një vartësi të tij dhe një përmbaruesi privat, të cilët rezultojnë të dyshuar si të implikuar në një skemë për zhvatjen me procedurë, të një fondi prej 1.2 milion eurosh.
Rasti i parë i kishte lekët e vjedhura cash si provë konkrete që dolën nga një tub aspirimi në shtëpinë e pastrueses, ndërsa në rastin e dytë lekët ishin në bankë e urdhëresat për t'i marrë këto para, ndodheshin nëpër letrat e një praktike të sigluar nga firma e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrit të Financave.
Dy ngjarjet sigurisht që morën goxha vëmendje mediatike, ndërsa ajo politike ishte e seleksionuar. Psh kryeministri zgjodhi të reagonte menjëherë për ngjarjen e parë kur doli se pastruesja kishte vjedhur një shumë parash në shtëpinë e ish-zyrtares së Ministrisë së Financave, Alda Klosi, duke i adresuar cilësimin "llum" pa patur një vendim gjyqësor që ta shpallë atë fajtore për para të pajustifikuara dhe për më tepër kur ngjarjen sapo e kishte denoncuar vetë znj. Klosi në polici.
Ndërsa për rastin e dytë, ku shkaktare për zbulimin e vjedhjes ishte një bankë që pikasi tërheqje shumash të mëdha parash nga një klient problematik në raport me vetë bankën, kryeministri reagoi me heshtje edhe pse ishte implikuar sekretari më i rëndësishëm i të gjitha ministrive. Tani shumë pyetje, por edhe dyshime apo aludime mund të hidhen në adresë të këtij pozicioni në heshtje që ka mbajtur kryeministri. Por unë dua të besoj se edhe ai si shumë gazetarë, por jo vetëm, ka menduar të mos e rëndojë pozitën e nëpunësit të tij vartës, pra Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave pasi dhe Kryeministri e ka vlerësuar z Gjokutaj si çun të mirë dhe pikërisht zgjodhi ta mbrojë me heshtje.
Për çudi në të njëjtën valë u sinkronizuan në mbrojtje në mënyrë supozuese shumë gazetarë, madje edhe kritikë me kryeministrin. Në fakt nuk ka ndonjë problem të mbrosh dikë që i shkelet një e drejtë apo i mohohet një mundësi. Por në rastin e z Gjokutaj, nuk ka ndonjë shkelje apo mohim të drejte deri më tash. Ai është person në hetim dhe kjo nuk e bën të fajshëm. Dhe mbrojtja nuk bëhet duke përmendur sa çun i mirë ose gocë e mirë është x apo y person, por duke arsyetuar si qëndron pozita e tij në raport me ligjin për atë ngjarje ku është implikuar apo akuzohet.
Këtu vijmë te pika kyçe e ngjarjes. Së pari, prokurorit që po heton ngjarjen i është dërguar vetë e gjithë praktika nga përmbaruesi privat i implikuar me idenë se hetimi është i pabazë dhe i gabuar, ndaj duhej mbyllur. Në fakt, me dërgimin e dosjes, prokurorit i është servirur e gjithë praktika e skemës për përfitimin e parave. Aq e qartë ka qenë dhe aq shumë shkelje janë gjetur gjatë hetimit, sa prokurorit nuk i është dashur as t'i thërrasë për t'i marrë në pyetje paraprakisht të dyshuarit pasi dosja e dorëzuar me shumë shkresa kishte brenda edhe "xhevahirët" që implikonin 3 personat në fjalë në këtë abuzim.
Prokurori ka ngritur deri tani akuzën e shpërdorimit të detyrës sepse i duhet të provojë përfitimin dhe ndarjen e interesave financiare mes 3 të dyshuarve, për të ngritur edhe akuzën për korrupsion. Ndaj hetimi vijon edhe në këtë aspekt. Por ky proces do bëjë rrugëtimin e vet. Ajo që habit është se këtej flasim nga mëngjesi deri në darkë drejtësi, drejtësi, drejtësi, korrupsion, korrupsion, korrupsion...dhe kur vjen puna që "plasin bombat" dhe drejtësia vepron edhe me atë apatinë e saj, suprizojnë "avokatët mbrojtës" , jo ata realë të klientëve, por ata të tjerët që për koiçidencë në këtë rast qëlluan që të ishin edhe gazetarë dhe jo të paktë.
Ajo që bën habi në fakt edhe më tepër, është mbrojtja gati-gati e sinkronizuar e gazetarëve ndaj një pushtetari nën akuzë. Dhe të mbrosh nuk ka asgjë të gabuar, por puna është sesi mbron dhe çfarë mbron. Se nëse mbron me prova se marrja si i pandehur e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave është e gabuar për këtë apo këto arsye gjithçka është ok. Por nëse mbrojtja bëhet me parimin se është çun i mirë apo se nuk besoj se ka përfituar mbështetur mbi perceptime ndaj personit apo të shkuarës së tij, atëherë këtu bie dhe morali, profesioni por edhe arsyeja. Se qëllon p.sh. që një person ka kaluar 50 vjet të jetës së tij korrekt, por në moshën 51 vjeçare tejkalom pak dozën e alkoolit dhe kryen një përdhunim të të një vajze. I vetmi gabim në jetë që bëri. Tani si i bie këtë personin do ta falim apo ta mbrojmë se ka qenë shumë njeri i mirë por 50 vjeç kreu këtë krim pa qëllim?!
T'i kthehemi ngjarjes reale. Miqtë e z Gjokutaj janë të mirëkuptuar me mbrojtjen publike dhe elozhet e merituara ndoshta për integritetin dhe profesionalizmin e tij të së shkuarës, por këtu po flitet për një rast konkret shkeljeje, nuk po diskutohet sesi ka qenë në të shkuarën CV-ja e z Gjokutaj.
Ndaj gazetarët kanë parakaluar edhe miqtë por edhe vetë Kryeministrin, i cili zgjodhi heshtjen si mbrojtje për zyrtarin e tij. Dhe për ta mbyllur një pyetje retorike: kur një zyrtar gabon me ose me dashje duhet të mbajë përgjegjësi apo jo?! Se po te jetë kështu, një gabim bënë edhe ata të inceneratorëve, thjesht donin nja 430 milion euro. Çfarë problemi ka këtu?! Se po ta mendonin thellë, edhe ata nuk do qarkonin 17 vendime brenda një dite, por do i binin çikë më gjatë. Gjynah edhe atyre po iu bien në qafë kot. Për fat këto raste nuk i ndjek shtypi i hua, se nuk do dinim si t'ua shpjegonim kolegëve tanë, jo rolin e zyrtarëve të implikuar në afera të dyshimta korruptive, por pozicionin e medias që valëzon sipas tallazeve të miqësive apo lobimeve, ku nuk mungon edhe ndonjë karamele që të ëmbëlson ose gojën ose mendimet për të shkruar me dashuri herë pas here.



