
Zëvendëskryeminstri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ndodhet për një vizitë zyrtare në Bruksel, pët të lobuar për liberalizimin e vizave.
Gjatë vizitës, numri 2 i qeverisë ka zhvilluar një takim me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn.
Hoxhaj informoi Hahn në lidhje me progresin e Kosovës në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave, duke shtuar se pret një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian në lidhje me këtë çështje.
Ai theksoi se Kosova ka punuar shumë për ta plotësuar kushtin kryesor, ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa tha se po punohet gjatë gjithë kohës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke shtuar se ky është një proces në të cilin duhet të punohet në vazhdimësi, jo vetëm si kusht për liberalizimin e vizave.
Po ashtu, zëvendëskryeministri Hoxhaj dhe komisioneri Hahn diskutuan edhe për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja.



